Putin: Kush sulmon Serbinë, ka sulmuar Rusinë
Kremlini ka njoftuar se presidenti Vladimir Putin ka dënuar fuqishëm arrestimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq nga Policia e Kosovës gjatë ditës së hënë.
Këto komente ai i ka bërë gjatë një bisede telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në deklaratën e lëshuar nga Kremlini thuhet se Putin dhe Vuçiq kanë diskutuar për çështjen e Kosovën “në kontekst të veprimeve provokuese nga autoritetet në Prishtinë”, ndaj Marko Gjuriqit, transmeton AP. Aty po ashtu thuhet se Putin ka “dënuar” arrestimin e Gjuriqit, duke thënë se me arrestimin e tij, autoritetet në Kosovë kanë shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Të hënën, Policia e Kosovës e ka arrestuar Marko Gjuriqin, pasi ai kishte hyrë pa leje në territorin e Kosovës. Më pas ai është dëbuar për në Serbi. Siç raporton gazeta serbe “Kurir” gjatë bisedës telefonike, e cila ka zgjatur gati një orë, presidenti rus i ka thënë atij serb se Rusia po ndjek me vëmendje atë që po ndodh në Serbi dhe në Kosovë dhe se Serbia mund të llogarisë në ndihmën ruse në çdo aspekt. Putin gjithashtu ka thënë se kur bëhet fjalë për Kosovën për Moskën vlen vetëm Rezoluta 1244 e KS të OKB dhe se për të dokumentet e tjera janë të pavlefshme. Presidenti rus i ka thënë Vuçiqit se “kush e sulmon Serbinë, e ka sulmuar edhe Rusinë.