Shqipëria e Bukur: Pika turistike Boboshtica
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i74806-shqipëria_e_bukur_pika_turistike_boboshtica
E njohur për objekte të shumta kulti, Boboshtica në Korçë, është një pikë referimi për turizmin e kultit dhe atë familjar.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 07, 2018 06:41 Europe/Tirane
  • Shqipëria e Bukur: Pika turistike Boboshtica

E njohur për objekte të shumta kulti, Boboshtica në Korçë, është një pikë referimi për turizmin e kultit dhe atë familjar.

Në një intervistë për ATSH-në, Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, sjell në vëmendje resurset kryesore natyrore të kësaj zone, që e kanë përfshirë atë në projektin “100 fshatrat”.

Po ashtu, ai ndalet te investimet kryesore që do të ndërmerren në Boboshticë, të cilat pritet të shndërrojnë këtë zonë në një destinacion të qëndrueshëm turistik, ndërsa pritet të zhvillojnë edhe ekonomitë lokale.

Rikonstruksioni dhe zgjerimi i rrugës Korçë- Ersekë, ku përfshihet edhe rruga që të çon në Boboshticë, sipas Filos, e bën këtë zonë lehtësisht të aksesueshme për vizitorët vendas dhe të huaj.

Boboshtica në “100 fshatrat”, investime dhe zhvillim

Përmirësimi i aksesit dhe vendosja e sinjalistikës turistike për monumentet e kulturës, sipas Filos, janë ndër prioritetet kryesore të ndërhyrjeve në Boboshticë. Po ashtu, ai theksoi se, do të bëhet restaurimi i Monumenteve të Kulturës dhe rimodelimi i qendrës së fshatit Boboshticë.

Rikonstruksioni i plotë i infrastrukturës rrugore, ku përfshihet rruga hyrëse për në fshatin Boboshticë dhe rruga për të shkuar tek Kisha e Shën Marisë do të zhvillojnë më tej kapacitetet akomoduese në këtë zonë duke i dhënë impuls turzimit, theksoi Filo.

Në kuadrin e ndërhyrjeve në infrastrukturë, në Boboshticë parashikohet të bëhet edhe sistemimi dhe asfaltimi i rrugës nga burgu i Drenovës deri në fshatin Boboshticë; ndërtimi i një kopshti për fëmijë; rikonstruksioni i qendrës shëndetësore; sistemimi i ujërave të zeza të burgut të Drenovës (përgjatë rrugës për në Boboshticë); rikonstruksioni i rrjetit të Ujësjellësit; ndërtimi i rrjetit KUZ dhe rikonstruksioni i rrjetit të furnizimit me energji elektrike.

Po ashtu, Kryetari i Bashkisë informoi se parashikohet ndërtimi i infrastrukturës mbështetëse për aktivitete rekreative dhe sportive, promovimi i produkteve dhe ushqimeve tradicionale, ngritja e fermave turistike, promovimi i artizanatit dhe i festave lokale./ ATSH