Protesta në Greqi kundër përdorimit të emrit Maqedoni
Me mijëra grekë kanë protestuar kundër akordit të arritur mes qeverisë majtiste të Athinës dhe Shkupit për të mos penguar përdorimin e emrit Maqedonia për përcaktimin e emrit të Republikës së Maqedonisë.
Pjesëmarrësit në protestën e organizuar në Athinë me flamuj në duar kanë kërkuar nga qeveria që të mos lejojë në asnjë mënyrë përdorimin e emrit Maqedoni në republikën e sapoformuar të Maqedonia Ish republikë e Jugosllavisë. Referendumi, sipas Zoran Zaevit, do të jetë fjala e fundit për çështjen e emrit të Maqedonisë. “Republika e Maqedonisë Veriore”, “Republika e Maqedonisë së re” dhe “Republika e Maqedonisë së Epërme” janë jozyrtarisht propozimet e fundit për emrin, në kuadër të marrëveshjes së arritur nga takimi i fundit në Bruksel, midis ministrave të Jashtëm Nikola Dimitrov dhe Nikos Kotzias. Korniza e marrëveshjes është rakorduar mes dy kryediplomatëve dhe parashikohet një plan prej 11 pikash, i cili shpresohet t’i vërë kapak grindjes shumëvjeçare mes Athinës dhe Shkupit. Nisma duhet të marrë më pas “dritën jeshile” të Zaevit dhe homologut të tij grek, Alexis Tsipras. Ndërkohë, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov e ka kritikuar qeverinë për mungesë transparence në rrjedhën e deritanishme të bisedimeve, në veçanti pas njoftimeve mbi arritjen e kornizës për marrëveshje të mundshme.