Kammenos: Bllokoj marrëveshjen me Shkupin dhe largohem nga qeveria!
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i79044-kammenos_bllokoj_marrëveshjen_me_shkupin_dhe_largohem_nga_qeveria!
Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos ka lëshuar një deklaratë “bombë”, duke paralajmëruar largimin e tij nga qeveria në rast se marrëveshja Athinës-Shkup nuk miratohet nga një referendum në Greqi.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Korrik 03, 2018 14:51 Europe/Tirane
  • Kammenos: Bllokoj marrëveshjen me Shkupin dhe largohem nga qeveria!

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos ka lëshuar një deklaratë “bombë”, duke paralajmëruar largimin e tij nga qeveria në rast se marrëveshja Athinës-Shkup nuk miratohet nga një referendum në Greqi.

Kammenos, kryetar i partisë Grekët e Pavarur, aleates së vetme në qeverinë e kryeministrit Tsipras, dha një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp të martën. “Marrëveshja e Prespës është e keqe, nuk e pranoj dhe do të përpiqem ta bllokoj”, deklaroi gjatë konferencës Kammenos, duke shtuar që marrëveshja të miratohet duhet kaluar nga një referendum, ose të bëhen zgjedhje të reja. “Marrëveshja nuk ka për të ardhur në parlament pa marrë më parë mendimin e popullit grek. Dhe kjo bëhet me dy mënyra: ose me zgjedhje të reja, ose me referendum. Përgjegjësinë e marr përsipër unë, si kryetar i Grekëve të Pavarur”, tha më tej Kammenos. Ministri grek i Mbrojtjes iu referua edhe marrëdhënieve me Shqipërinë, duke thënë se mbrëmë u informua nga kryeministri që po mbyllet çështja e Zonave Ekskluzive Ekonomike -ashtu si dhe me vende të tjera-, por shtoi se komunikimet përkatëse do të bëhen nga ministri i Jashtëm. “Ato që kërkonte Greqia nga Shqipëria po nisin të realizohen”, tha më tej Kammenos. “Si p.sh., zhvarrimi i ushtarëve grekë. Shqipëria po fillon të vetëdijesohet se është në dobi të saj të ketë marrëdhënie të mira me Greqinë”, tha ministri grek i mbrojtjes. “Sa thuhen për çështjen e pronave nuk kanë lidhje me çamët”, vazhdoi Kammenos. “Çamët janë kriminelë lufte që bashkëpunuan me nazistët dhe me kriminelët e luftës ne nuk bashkëbisedojmë”. Kammenos, kryetar i partisë së djathtë “Grekët e pavarur”, foli edhe për zonën ku jeton minoriteti grek në Shqipëri, duke iu referuar asaj zone me termin “Epiri i Veriut”. “Epiri i Veriut është zona ku grekët ekzistonin dhe do të ekzistojnë. Minoriteti do të mbrohet”, tha ministri grek i mbrojtjes.