Shqipëria e Bukur: Kush është Lepusha
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i79795-shqipëria_e_bukur_kush_është_lepusha
Janë disa fshatra në komunën Kelmend në Malësinë  e Madhe në qarkun e Shkodrës, që me ndërtimin e rrugës së re  me parametra të standardit europian, kanë filluar të vizitohen në masë nga turistët e huaj dhe ata vendas. Janë turistë që udhëtojnë me makina private apo me guidat turistike të organizuara.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Korrik 28, 2018 11:57 Europe/Tirane
  • Shqipëria e Bukur: Kush është Lepusha

Janë disa fshatra në komunën Kelmend në Malësinë  e Madhe në qarkun e Shkodrës, që me ndërtimin e rrugës së re  me parametra të standardit europian, kanë filluar të vizitohen në masë nga turistët e huaj dhe ata vendas. Janë turistë që udhëtojnë me makina private apo me guidat turistike të organizuara.

Lepusha dallon për nga peizazhi natyror si dhe nga investimet e bëra në fushën e turizmit. Janë disa shtëpi pritjeje(bujtina) që bëjnë të mundur strehimin e vizitorëve.

Emri Lepushë rrjedh nga një bimë barishtore me lule të verdha, që quhet Lepushtra, që rritet me shumicë në fshat.

Lepusha vlerësohet si bukuria e rrallë e natyrës së Kelmendit dhe si “perlë” e Alpeve Shqiptare. Male të larta me bllokun shkëmborë të Shenikut në Bjeshkët e Namuna dhe malet përreth. Shquhet për kullotat e gjelbra dhe pyje e dendur që harbojnë gjatë stinës së verës.

Fshati laget përherë nga përroi i quajtur Sheu i Lepushës.

Bie kaq shume borë në dimër, saqë trashësia e saj ka arritur edhe 4 metra, më e larta në vendbanimet shqiptare.

Dega kryesore e ekonomisë është blegtoria dhe pak bujqësi me kulturë pataten. Përpunimi artizanal i drurit është një tjetër burim ndihmës për ekonominë e banorëve.Së fundmi si ekonomi ndihmëse ka filluar edhe turizmi sidomos në stinën e verës.
Lepusha është një vend i mrekullueshëm me potenciale për  turizmin e natyrës dhe atë të aventurës.

Lepusha e Kelmendit,bukurinë e saj përrallore e ka tani në stinën e verës. Aty ndodhet një bujtinë që ka përshtatur komoditetin e saj për një turizëm gjithëvjetor. Fundjavat janë gjithmonë të rezervuara thonë pronarët e saj duke përmendur se agjenci të ndryshme nga shumë qytete të vendit i bëjnë pronotimet disa ditë para.

Kjo zonë edhe në dimër tërheq mjaft vizitorë e turistë të huaj. Janë kryesisht ata që pëlqejnë ngjitjet malore,aventurën,sportet e borës dhe natyralistët. / ATSH /