Qendra rajonale për inovacionin dhe teknologjinë vendoset në Tiranë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i81645-qendra_rajonale_për_inovacionin_dhe_teknologjinë_vendoset_në_tiranë
Qendra rajonale për inovacionin dhe kërkimin në fushën e teknologjisë, pjesë e rrjetit të qendrave të mbështetura nga Forumi Ekonomik Botëror, do të vendoset në Tiranë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 02, 2018 11:47 Europe/Tirane
  • Qendra rajonale për inovacionin dhe teknologjinë vendoset në Tiranë

Qendra rajonale për inovacionin dhe kërkimin në fushën e teknologjisë, pjesë e rrjetit të qendrave të mbështetura nga Forumi Ekonomik Botëror, do të vendoset në Tiranë.

Lajmin e njoftoi kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në takimin “Dialogu strategjik për Ballkanin Perëndimor” në Gjenevë.

“Dialogu strategjik i organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror i Davosit është në vazhdën e një procesi të nisur në Davos, ku së bashku dakordësuam për të vijuar më tutje. Faktikisht, sot, ne kemi pasur një takim të frytshëm, jo se kështu thuhet zakonisht, por sepse janë marrë disa vendime konkrete”, th Rama.

Kryeministri informoi se është vendosur që qendra e afiluar e të ashtuquajturit revolucion i katërt industrial do të jetë në Tiranë.

“Qendra rajonale që do të shërbejë si një pikë referimi për inovacionin, për kërkimin në fushën e teknologjisë dhe do të jetë pjesë e rrjetit të këtyre qendrave të mbështetura nga Forumi Ekonomik Botëror në San Francisco dhe në vende të tjera, që do të sjellë një vlerë të shtuar, besoj, në një proces ku Shqipëria dhe rajoni kanë hyrë, që është procesi i digjitalizimit dhe i inovacionit,” u shpreh kryeministri Rama.

“Dialogu strategjik për Ballkanin Perëndimor” pati si fokus nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve.