Rama: Bekuar qoftë ushtria e sapolindur e Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mirëpritur votimin e sotëm të projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka shkruar “bekuar qoftë ushtria e Kosovës”.“Lavdi dëshmorëve të Kosovës dhe bekuar qoftë ushtria e sapolindur e Republikës së Kosovës”, ka shkruar kryeministri shqiptar, Edi Rama. Në votimin e tri-projektligjeve që u bë sot, nuk kanë marrë pjesë vetëm deputetët e Listës Serbe. Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 101 vota për miratuan në lexim të parë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, me 98 vota për Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe me 96 vota pro shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përfaqësuesit e Grupeve parlamentare ndonëse theksuan meritat e secilës nga to për transformimin e FSK-së, ata vlerësuan se Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri e paqes. Këto projektligje, parashohin që Forca e Sigurisë së Kosovës të zhvillohet si një forcë me kompetenca dhe detyra të reja, organizim dhe funksionim të ri dhe kalimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes.