Manifestuesit kërkojnë bashkimin e Luginës me Kosovën
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i82846-manifestuesit_kërkojnë_bashkimin_e_luginës_me_kosovën
Nga përfaqësues të Shoqatës “Çamëria” të Kosovës, shoqatës patriotike të Shqipërisë, liderë të Luginës së Preshevës si dhe dhjetëra qytetarë u kërkua bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, duke mos lënë anash as trojet tjera shqiptare.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 10, 2018 16:06 Europe/Tirane
  • Manifestuesit kërkojnë bashkimin e Luginës me Kosovën

Nga përfaqësues të Shoqatës “Çamëria” të Kosovës, shoqatës patriotike të Shqipërisë, liderë të Luginës së Preshevës si dhe dhjetëra qytetarë u kërkua bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, duke mos lënë anash as trojet tjera shqiptare.

Marshi nisi nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, në krye me një flamur me mbishkrimin “Çamëria” dhe vazhdoi deri te sheshi “Skënderbeu”, ku organizatorët mbajtën fjalime. Kryetari i shoqatës “Çamëria”, në Kosovë, Nexhmi Muçiqi, tha se sot kanë dalë për të treguar se populli shqiptar do bashkimin. Ai po ashtu tha se këto shoqata nuk janë pjesë e ndonjë partie, me ç’rast edhe përshëndeti idenë e presidentit Thaçi për bashkimin e Kosovës Lindore më Kosovën. Kurse përfaqësuesi i Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa tha se për Luginën kjo është një ditë madhështore. Ai tha se ka ardhur momenti që Lugina të mos quhet Kosovë Lindore, por lindje e Kosovës. Ai po ashtu kërkoi që të hiqet taksa 10 për qind për bizneset shqiptare në Luginë. Kurse kryetari i shoqatës patriotike “Çamëria” në Shqipëri, Driton Sejko tha se sot kanë ardhur t’i përkrahin banorët e Luginës.“Sot jemi mbledhur për të kërkuar bashkim kombëtar e për të përkrahur vëllezërit tanë të Luginës. E kemi thënë se Lugina rrezikon të bëhet Çamëria e dytë nga politikat e shpopullimit që ndjek Beogradi. Por ne shqiptarët kudo që jemi, në Shqipëri, Kosovë, Iliridë, Mal të Zi, Çamëri e në të gjitha trevat, rruga është vetëm një, të bashkohen shqiptarët në mes vetes e t’i shohin kufijtë si konvencionalë, t’i bëjmë ato të padukshëm e t’i bashkojmë shpirtrat dhe zemrat, ekonominë, arsimin, kulturën dhe gjuhën”, ka thënë Sejko. Qytetarët marshuan me pankarta që përcollën mesazhe se Shqipëria, Kosova, Ilirida, Çamëria, Sanxhaku, Mërgata e Malësia janë me Luginën.