Shqipëri-Kosovë, urime për Ditën e Flamurit!
Kryeministri Edi Rama ka uruar shqiptarët për Ditën e Flamurit.
Ende nën atmosferën e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, Rama ka zgjedhur pikërisht foton e nënshkrimit të flamurit kuq e zi nga ai dhe Haradinaj në Pejë për të uruar Pavarësinë.
Urime për Ditën e Flamurit ka përcjellë dhe Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në fb.
Meta: Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!Një urim të veçantë për çdo shqiptar kudo ndodhet, me këtë poezi, të recituar me shpirt, shumë dashuri dhe emocion nga dy nxënëse shqiptare të shkollës 9-vjeçare në Dacaj të Rozhajës.
Sot shënohen plot 106 vite nga dita kur në Vlorë u ngrit Flamuri dhe Shqipëria u shpall e pavarur.
Më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga patriotët e drejtuar nga Ismail Qemali.
Kjo ditë u zgjodh sepse në vitin 1443 heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti me forcat e tij çliroi Krujën dhe ngriti flamurin kuq e zi.
Në Kosovë për nder të Ditës së Flamurit, sot të gjitha institucionet publike në Kosovë pushojnë
Asnjë institucion publik në Kosovë nuk do të punojë sot, në Ditën e Flamurit Kombëtar.
Për nder të kësaj date Ministria e Administratës Publike ka njoftuar se do të jetë ditë pushimi.
“Bazuar në dispozitat e Ligjit nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës, ju njoftojmë se për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, për nderë të festës së 28 Nëntorit do të jetë ditë pushimi”, thuhet në njoftimin e MAP-it.
28 Nëntori nuk është përfshirë në kalendarin e festave zyrtare, por sipas Ligjit është ditë memoriale.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar popullin shqiptar me rastin e festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.
“Sot, jemi NJË në zemër, ashtu siç ishim e do të jemi gjithmonë. Dita e Flamurit, shënon rimëkëmbjen tonë, na kujton nëpër shekuj se kush jemi dhe na mbanë bashkë si komb. Në këtë ditë të veçantë, që koincidon me daljen në skenë të UÇK-së dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, kujtojmë sakrificën e shumë brezave dhe nderojmë veprën e të rënëve në kohë e përpjekje të ndryshme për liri, pavarësi e dinjitet kombëtar”, ka shkruar Haradinaj në urimin e tij.
“28 Nëntori” i bekuar, është historia jonë e lavdishme dhe synimi ynë për të ardhmen e përbashkët në vlerën euro-atlantike, thotë më tej kreu i ekzekutivit kosovar, duke përfunduar me fjalinë: “Urime festa e përjetësuar ndër shqiptarë”.
Pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës janë paraparë aktivitete të ndryshme për shënimin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.
Aktivitet fillojnë me homazhet që do të bëhen tek varret e dëshmorëve, për të vazhduar pastaj me aktivitete tjera.
Shqipëria shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Kryeministër i parë u zgjodh Ismail Qemajli, i cili edhe udhëhoqi procesin dhe ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.
Ndërkoh Albin Kurti nga Prekazi ka uruar të gjithë shqiptarëve, 28 Nëntorin duke e quajtur këtë festë "28 nëntori i flamurit, i pavarësisë dhe i UÇK-së".
Kjo u bë në nder të familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të rënë për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve.
Albin Kurti, kreu i Vetëvendosjes, tha se 28 Nëntori është dita thelbësore e identitetit kombëtar dhe historisë së shqiptarëve.
“Nga Skënderbeu në Krujë tek Ismail Qemali në Vlorë tek Adem Jashari në Prekaz, kujtojmë ngjarjet e lavdishme dhe njerëzit e mëdhenj me ndjenjën e përbashkët të krenarisë dhe përgjegjësisë tash kur amaneti i tyre na e ndriçon rrugën përpara. Të gjithë shqiptarëve, urime dhe gëzuar 28 nëntori i flamurit, i pavarësisë dhe i UÇK-së”, u shpreh Kurti, sipas njoftimit për media të kësaj partie.