BE: Opozita në Shqipëri, për të ardhur keq
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i86325-be_opozita_në_shqipëri_për_të_ardhur_keq
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ishte në Vaun e Dejës së bashku me Rudina Hajdarin e cila nuk e la mandatin e saj si deputete.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 08, 2019 15:05 Europe/Tirane
  • BE: Opozita në Shqipëri, për të ardhur keq

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ishte në Vaun e Dejës së bashku me Rudina Hajdarin e cila nuk e la mandatin e saj si deputete.

Për mandatin ajo kërkoi kohë për t’u konsultuar edhe me të huajt, të cilët nuk e mbështesin opozitën në këtë hap ekstrem dhe duket se kjo vizitë e saj me diplomatin e BE-së është një përgjigje. Ndërkohë, zoti Soreca vijoi në prani të Hajdarit kritikat për sjelljen e opozitës: “Situata është e paprecedentë. Opozita po mban qëndrim pa u kthyer pas dhe kjo është për të ardhur keq. Ja kemi thënë disa herë këtë gjë, por pa sukses. Në rast moszgjidhjeje të këtij ngërçi, integrimi i Shqipërisë është në rrezik. I bëjmë thirrje të gjitha palëve që të marrin pjesë në zgjedhjet vendore si e vetmja mënyrë demokratike”. Rudina Hajdari nuk ka folur ende dhe ka shmangur daljet publike, ndonëse prej saj nuk kanë munguar mesazhet për vendimin që tashmë duket se e ka marrë. Në rrjetet sociale, kur opozita shpalli vendimin, ajo e vlerësonte se djegia e mandateve në grup do të ketë risqe, ndërsa më vonë në Twitter ajo do të alarmonte ndërkombëtarët se donin ta përjashtonin nga partia.