Prishtina: Raporti i Bankës Botërore është i pavërtetë
Qeveria e Kosovës i ka konsideruar “të pavërteta dhe të pabazuara”, gjetjet e raportit të publikuar të martën nga Banka Botërore, në të cilin është thënë se vetëm në vitin 2018 tregu i punës në Kosovë është zvogëluar për 17 mijë vende.
“Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Banka Qendror e Kosovës, por edhe Raporti Financiar për Shpenzimet e Buxhetit për vitin 2018, për zhvillimet makroekonomike në Kosovë flasin krejt ndryshe”, është thënë në komunikatë. Përveç kësaj, Qeveria ka thënë se bazuar në të dhënat e publikuara së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) del se “numri i të papunëve në vitin 2018 është zvogëluar për 11.611 persona, që do të thotë, shkalla e papunësisë është zvogëluar për 1% në krahasim me vitin 2017”. “Raporti në fjalë nuk e qartëson se cilat janë kriteret dhe metodologjia e përdorur për hartimin e një raporti me konstatimin përfundimtar se janë humbur 17 mijë vende të punës dhe ne si Qeveri, menjëherë kemi kërkuar informacione të sakta se cili është burimi dhe cilat janë metodat e punës në mbledhjen dhe paraqitjen e këtyre shifrave”, është thënë ndër të tjera në reagim. Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, papunësia në Kosovë llogaritet të jetë 30 për qind.