Rusia shqetësohet nga unifikimi diplomatik Tiranë – Prishtinë
Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmarrë hapat fillestarë drejt unifikimit të misioneve diplomatike e konsullore.
Të dy qeveritë kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët e cila përcakton ngritjen e “Grupit Ndër-Ministror për Përfaqësim të Përbashkët Ndërkombëtar” dhe “Këshillin e Përbashkët për Planifikim Strategjik”. Me këtë marrëveshje, sipas zyrtarëve të të dyja vendeve, përcaktohen prioritetet afatgjata strategjike dhe bashkërendimi i qëndrimeve politike në arenën ndërkombëtare. Njëkohësisht përcaktohet edhe marrja e detyrimeve konkrete në përfaqësim të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në organizata ndërkombëtare. Por, ndaj nismës për unifikimin diplomatik e konsullor të Kosovës e Shqipërisë kanë reaguar Serbia dhe Rusia. Të dy këto vende që njihen edhe si kundërshtare të fuqishme të pavarësisë së Kosovës, marrëveshjen e kanë cilësuar si hap drejt realizimit të synimeve për, siç thuhet, “Shqipërinë e Madhe”. Në një deklaratë të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, thuhet se hapa të tillë në Prishtinë dhe Tiranë shkaktojnë shqetësim serioz. “Hapat provokues të Tiranës dhe Prishtinës, të cilat janë në harmoni me zbatimin e konceptit të ‘Shqipërisë së Madhe’, paraqesin shqetësim serioz. Ne konsiderojmë se marrëveshje Kosovë – Shqipëri për unifikimin e misioneve diplomatike në vende të treta, e nënshkruar më 2 korrik të këtij viti, është në këtë kontekst”, theksohet në reagimin e Moskës. “Ne tërheqim vërejtjen se veprimet provokuese të Prishtinës dhe Tiranës nuk janë të rastësishme. Për disa vjet rresht, prej atje janë dëgjuar deklarata rreth integrimit ‘de facto’. Kjo linjë e udhëheqjes në Shqipëri dhe në Kosovë bie ndesh me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, minon dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së dhe kërcënon stabilitetin në Ballkan”, theksohet në reagimin rus. “Ne dëshirojmë të theksojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian preferojnë të mos reagojnë ndaj lëvizjeve të tilla shkatërruese, duke inkurajuar në të vërtetë mendimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ që është e dëmshme për rajonin”, thuhet në deklaratën e Moskës zyrtare. Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e ka cilësuar marrëveshjen për bashkëpunim në politikën e jashtme të Prishtinës dhe Tiranës si përpjekje për krijimin e një “Shqipërie të Madhe”. Kryediplomati serb ka pyetur se çka do të ndodhte nëse Serbia do të nënshkruante një marrëveshje të ngjashme me Republikën Serbe.