Kosova përkujton gjenocidin në Srebrenicë, Serbia mos t’i mohojë krimet
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i89433-kosova_përkujton_gjenocidin_në_srebrenicë_serbia_mos_t’i_mohojë_krimet
“Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut”, në Kosovë ka përkujtuar sot gjenocidin e kryer në Srebrenicë, 24 vjet më parë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 11, 2019 16:57 Europe/Tirane
  • Kosova përkujton gjenocidin në Srebrenicë, Serbia mos t’i mohojë krimet

“Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut”, në Kosovë ka përkujtuar sot gjenocidin e kryer në Srebrenicë, 24 vjet më parë.


Nga kryeqyteti i Kosovës ata dërguan mesazhe tek politikanët në Serbi, duke kërkuar drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre. Me organizimin e sotëm, të rinjtë synuan edhe të solidarizohen me popullin boshnjak, dhe të dërgojnë mesazhin e mos harresës së krimit më të tmerrshëm në historinë e re të botës në tokën evropiane. 24 vjet më parë Srebrenica përjetoi masakrën më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore, të urdhëruar nga regjimi kriminal i Sllobodan Millosheviqit. Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive në “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut”, në Kosovë tha se me këtë aktivitet solidarizohen me popullin boshnjak. “Përmes këtij aksioni ne po synojmë të dërgojmë mesazh tek politikanët në rajon, sidomos te politikanët në Serbi, të cilët kohëve të fundit dhe në vazhdimësi janë përpjekur ta mohojnë këtë gjenocid të tmerrshëm, në mënyrë që të kërkojmë drejtësi për të gjithë viktimat, familjarët e tyre dhe të kontribuojmë në informimin dhe edukimin e gjeneratave të reja, në mënyrë që këto krime të tmerrshme që kanë ndodhur, jo vetëm në Srebrenicë, por në gjithë territorin ish-Jugosllavinë gjatë viteve ’90, mos të përsëritën kurrë”, tha ajo. Masakra e Srebrenicës, që ndodhi 24 vjet më parë, njihet si ngjarja më e tmerrshme në historinë e re të botës në tokën evropiane. Aty u vranë mbi 8000 burra dhe djem mysliman, me urdhrin e kriminelit Radovan Karadzic.