Gjykata jep masën për terroristin nga Rusia
Gjykata e Durrësit ka vendosur masën “arrest me burg” për 34-vjeçarin rus që u arrestua pak ditë më parë. Rasul Mislaev, është lënë në qeli pasi autoritetet ruse e akuzojnë për terrorist dhe kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar.
34-vjeçari Rasul Mislaev, ka hyrë në Shqipëri 4 muaj më parë nga pika kufitare e Kakavijës. Ka qëndruar në qendrën e azilit në Karrec, në qytetin e Korçës. Arrestimi i tij është bërë një natë më parë, pasi Interpol Rusia dërgoi të dhënat e sakta. Mislaev ka hyrë në Shqipëri bashkë me disa emigrantë të paligjshëm nga Lindja e Mesme. Ai ra në sy të autoriteteve shqiptare, pasi nuk kishte asnjë mjet identifikimi dhe u krijuan dyshimet se mund të ishte terrorist. Në Qershor të vitit 2013 Rasul Mislaev, është larguar nga Rusia për në Siri, ku i është bashkuar një grupi terrorist ISIS, duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri. Mediat botërore i kanë dhënë jehonë lajmit të arrestimit. Reuters shkruan se bëhet fjalë për një terrorist të rrezikshëm. Gjatë kohës që ka qenë në Karrec, Forcat Speciale dhe Krimet e Rënda kanë gjetur rrjetën dhe kangjellat e dritares së tij të prera. Nga kjo ditë, ai ruhej 24 orë, pasi kishte informacione se mund të rrëmbehej nga terroristët ose të vritej, për faktin se konsiderohej si person i rrezikshëm në luftën e ISIS-s.