Macron në Beograd, Franca tradhton shqiptarët?
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i89541-macron_në_beograd_franca_tradhton_shqiptarët
Presidenti i Francës Emmanuel Macron deklaroi sot në Beograd se ai dëshiron të ndërtojë një të ardhme të re evropiane me Serbinë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Korrik 15, 2019 17:45 Europe/Tirane
  • Macron në Beograd, Franca tradhton shqiptarët?

Presidenti i Francës Emmanuel Macron deklaroi sot në Beograd se ai dëshiron të ndërtojë një të ardhme të re evropiane me Serbinë.

Ai tha se dëshiron të forcojë lidhjet mes Serbisë dhe Francës në fushën e sigurisë. Macron tha se Serbia duhet të zbatojë reformat, por edhe BE të reformojë veten në mënyrë që të marrë Serbinë. Ai tha se do të angazhohet me rastin e një takimi të ri që do të bënte një hap drejt arritjes së marrëveshjes për Kosovën. “Ne ishim shumë të sinqertë në bisedime. Unë do të organizoj një takim me ju, kryeministren e Serbisë, udhëheqjen e Kosovës dhe kancelares Merkel. Franca dëshiron që të arrihet një marrëveshje. Serbia dhe Kosova janë vende evropiane dhe ne duam që kjo të shndërrohet në fakte. Përgjegjësia jonë është të japim mbështetje për stabilitetin e rajonit”, tha presidenti Macron. Duke folur rreth marrëveshjes finale me Kosovën, “përpos që ajo të mos jetë e pavarur”, presidenti Macroni tha se s’mund të përsëritet historia e para 20 vjetëve, por duhet ecur përpara. “Nuk kam përgjigje konkrete për ju. Nuk ka zgjidhje magjike. Askush nuk e ka zgjidhjen në xhep. Zgjidhja është te ju”, porositi Macron. Vendimi i presidentit të Francës Emmanuel Macron të vizitojë vetëm Serbinë, por jo edhe vendet fqinje, më së shumti ka goditur shqiptarët, edhe pse ata janë të përmbajtur ta thonë publikisht, vlerësoi sot e përditshmja franceze “L’Opinion”. “Nga pikëpamja e vendeve fqinje, problemi nuk është se Macron ka vizituar Serbinë, por që ka vizituar vetëm Serbinë. Kjo është diçka si një burrë shteti francez që shkon në Izrael pa vizituar palestinezët”, thotë burimi diplomatik i gazetës franceze, transmetojnë mediat. E përditshmja parisiene shkruan se vendimi për të vizituar vetëm Serbinë shtron pyetjet nëse Franca ka tradhtuar shqiptarët, qoftë ata në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoninë Veriore. Gazeta përmend edhe simpatinë pro-serbe nga ana e Francës, edhe pse duket se Parisi zyrtar është larguar kryesisht nga çështje të rëndësishme rajonale.