Tusk: BE nuk po ju bën asnjë nder
Donald Tusk, president i Këshillit Evropian, në fund të mandatit të tij, nga Tirana përcolli mbështetje për Shqipërinë në çeljen e negociative me Bashkimin Europian.
Megjithëse fjalën e fundit do ta thotë Këshilli Ministrave të BE-s më 18 Tetor, qëndrimi i presidentit Tusk, përforcon klimën pozitive, që Shqipëria ta kalojë me sukses këtë test, qoftë edhe me kushte. “Medalja më e madhe për mua do të ishte në fakt çelja e negociatave për Shqipërinë. Mund të them që në sajë të përpjekjeve tuaja ne i jemi afruar këtij objektivi. Jemi më afër tij dhe askush nuk duhet të ketë as dyshimin më të vogël, as këtu në Tiranë e as në të gjitha kryeqytetet e Bashkimit Europian. Po i afrohemi gjithmonë dhe më shumë këtij momenti. Unë kam qenë gjithmonë i mendimit që BE duhet të çelë negociatat, pra këto bisedime për anëtarësim si me Shqipërinë ashtu dhe me Maqedoninë e Veriut në përputhje kjo me rekomandimin pozitiv të Komisionit”, tha Tusk. President i Këshillit Evropian Donald Tusk u kujdes të përcillte mesazhin se Shqipëria nuk e meriton të diferencohet nga vendet e tjera dhe duhet të trajtohen nga Europa me respekt. “Vendi juaj duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe sipas meritave të veta ashtu si janë trajtuar dhe vendet e tjera dhe trajtohen vendet tjera të rajonit, të cilët ndajnë me ju objektivin e të bërit, pra e të qenit vend anëtare në BE. Në takimin e sotëm ne diskutuam edhe rëndësinë që ka për Shqipërinë ruajtja e historikut solid në lidhje me luftën kundër korrupsionit krimit të organizuar, pra për sundimin e ligjit. Për fiksim apo opsesion në Bashkimin Europian për sundimin e ligjit dhe madje do të shtoja dhe dy elementë të tjerë si marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me pajtimet është pjesë e ADN tonë dhe ka për të qenë dhe ka për të vazhduar të jetë e tillë edhe kur ju të bëheni shtet anëtar. Kjo do të thotë se askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”, u shpreh Tusk.