Katër muaj burg shtetasit amerikan për foton Rama-Obama
Një burrë që sajoi një kontribut të paligjshëm nga një i huaj në një komitet të përbashkët për mbledhjen e fondeve për presidentin Barack Obama në vitin 2012, u dënua me katër muaj heqje lirie.
William Argeros kishte pranuar fajësinë në vitin 2016 për këtë çështje dhe për dëshmi të rrejshme para një jurie të madhe, duke u përballur me deri 24 muaj heqje lirie, në bazë të marrëveshjes së tij të pranimit të fajit. Por gjykatësja, Madeline Cox Arleo, vuri në dukje mungesën e precedentëve paraprak penal të 61-vjeçarit dhe besimin se kontributi prej 80 mijë dollarësh nuk kishte për qëllim të ndikojë në zgjedhjet amerikane. Ligji amerikan u ndalon shtetasve të huaj të japin kontribute për kandidatët federalë. Avokati John Azzarello, duke përfaqësuar Argeros, tha se klienti i tij po vepronte në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me Obaman. Avokati Azzarello tha se kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë. Kur akuzat u publikuan në vitin 2016, zyra e Ramas mohoi të ishte burim i kontributeve. Zyra e prokurorit amerikan pretendonte se Argeros organizoi kontributin përmes një banori nga New Jersey, Bilal Shehu, i cili u dënua me kusht në vitin 2017. Gjykatësja Cox Arleo tha se i dha Argeros një dënim më të rreptë, sepse ai pranoi të ketë gënjyer një juri të madhe.