“Kurir”: Njësia Speciale serbe e kreu masakrën në Reçak
"Tradhtia e madhe!”. Kështu e nis shkrimin e saj gazeta beogradase “Kurir”, në të cilin një ish zyrtar i lartë i Shërbimit të Sigurimit Serb (SDB) dhe ish-zëvendësdrejtor i BIA-s, jep versionin për masakrën e Reçakut.
Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë në struktuarat serbe të sigurisë e pranon se ishin forcat serbe ato që e kryen këtë krim mbi shqiptarët në janar të viti 1999.Mirëpo, gazeta serbe, shkruan se “Njësia e Operacioneve Speciale (JSO), e formuar nga ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq, është keqpërdorur në Reçak, gjë që u shfrytëzua si shkas për bombardimin e Republikës Federale të Jugosllavisë”.Këtë version ia ka thënë “Kuririt” Dragan Markoviq- Markoni, pjesëtar shumëvjeçar i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb (SDB) dhe ish-Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Informative e të Sigurisë (BIA). Markoviq ka thënë se Njësia e Operacioneve Speciale Serbe (JSO) duhej ta mbronte popullsinë serbe në pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë të prekura nga lufta civile, por shefi i atëhershëm i SDB abuzoi me patriotizmin e anëtarëve të asaj njësie.Sipas tij, ai e bëri këtë “duke u dhënë atyre urdhër që të mos respektojnë ligjin e luftës, por të përdorin dhunë të tepruar”. Ky ish anëtar i DB-së serbe dhe më vonë zyrtar i lartë i BIA-s, beson se Stanishiq dhe disa si ai, ende po përpiqen të ndikojnë në këtë shërbim, por që ka më shumë të atillë që profesionalisht po bëjnë punën e tyre. Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë. Aty u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky gjenocid, tronditi gjithë opinion ndërkombëtar. Masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës, pasi dy muaj më vonë filluan bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe.Beogradi zyrtar, por edhe mediat serbe, vazhdimisht e kanë mohuar këtë masakër, duke e quajtur madje edhe si një mashtrim.