Rama për ‘Mini-Shengenin ballkanik’: Kosova po vetëizolohet
Kryeministri Edi Rama teksa deklaroi sot se ka qenë ai iniciatori për projektin e Mini-Shengenit ballkanik, tha se ka pasur shumë debate me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se lëvizja e lirë e mallrave, por edhe e njerëzve, nënkupton që të hiqet trau mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa shtoi se kjo e fundit po vetëizolohet. Mes të tjerash, Rama thumboi politikanët kosovarë, duke shtuar se patrioti nuk mund të bëhet duke qëndruar me pizhame në shtëpi.“Kush është kundër Shengenit rajonal, nuk më kupton. Shengeni rajonal është një vizon dhe një këmbëngulje nga ana ime, nga ana jonë, qysh në ditët e para të procesit të Berlinit. Ka qenë i penguar deri para pak muajsh nga presidenti i Serbisë me të cilin kam bërë debate. Nuk mund të bëjmë dot një marrëveshje rajonale mbi tregtinë, nëse nuk bëjmë marrëveshje për lëvizjen e lirë. A do të bashkohen kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë? Kjo kupton heqje të atij trau. Kjo e vendos ne pozicionin më të favorshëm Kosovën. Kosova po vetizolohet brenda kufijve. Historia nuk shkruhet duke qëndruar në shtëpi dhe të bësh patriotin me pizhame”, theksoi Rama. Më 10 nëntor gjatë një takimi në Ohër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, pa pjesëmarrjen e Kosovës kanë miratuar një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media ka thënë se me anë të Mini-Shengenit po bëhet zgjerimi i influencës ruse dhe kineze në Ballkan.