Shkon në 20 numri i viktimave nga tërmeti në Shqipëri
Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe mbi 600 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë.
Sipas emergjencave civile, si pasojë e tërmetit kanë humbur jetën 20 persona nga shembja e pallateve, ndër ta edhe dy të mitura. Po ashtu, bëhet e ditur se rreth 40 persona janë shpëtuar deri më tani nga rrënojat në Durrës dhe Thumanë. Në mesin e viktimave, janë edhe dy qytetarë nga Kosova, vëllezër nga Komuna e Gjilanit. Lajmin e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli. Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.3 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4. Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar. Ndërkohë, ekipe të shpëtimit nga të gjitha vendet e rajonit janë nisur për në Shqipëri për t’i dalë në ndihmë vendit. Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës u janë bashkuar autoriteteve në Shqipëri në operacionet e kërkim shpëtimit. Gjithashtu, misionet e huaja të emergjencave civile nga Gjermania, Italia, Franca, Zvicra dhe Greqia kanë filluar të arrijnë në Shqipëri për të ofruar ndihmën e tyre. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ngushëlluar familjet e viktimave dhe ka bërë thirrje për organizim të jashtëzakonshëm institucional, por edhe shoqëror. Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili ka dalë në terren ka shkruar në Twitter se të gjitha strukturat e shtetit janë në duke punuar intensivisht për të shpëtuar çdo jetë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e shpalli të mërkurën ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti në Shqipëri.