Për momentin, dërgimi i trupave në Libi nuk është në agjendën turke
Kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se Ankaraja nuk planifikon të dërgojë ushtarë, por kjo mund të ndryshojë nëse Libia bën një kërkesë të tillë
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka thënë se dërgimi i forcave tokësore në Libi aktualisht nuk është në agjendën e politikës së jashtme të Turqisë, por kjo mund të shqyrtohet nëse qeveria libiane e njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB) bën një kërkesë të tillë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Për momentin, nuk është bërë një kërkesë e tillë, ne nuk e kemi në plan të dërgojmë njësite luftarake tokësore (në Libi), por presidenti ynë (Recep Tayyip Erdoğan) më herët tha se ne mund të shqyrtojmë këtë nëse bëhet një kërkesë e tillë", tha Çavuşoğlu gjatë konferencës së përbashkët për media me homologun kroat Gordan Grliç Radman të mbajtur në Ankara.
Kroacia, si një vend anëtar i BE-së, do të ishte në anën e komunitetit evropian sa i përket kontestit rreth Mesdheut Lindor, tha ai, duke shtuar se Turqia e sheh Kroacinë si një shtet "objektiv dhe të sinqertë".
Çavuşoğlu gjithashtu tha se e ka informuar homologun e tij për politikën e Ankarasë në rajon e cila bazohet në drejtësi dhe ligjet ndërkombëtare, duke shtuar se qeveria turke pret që BE-ja të zgjidhë çështjen në vend që të mbështesë akte të njëanshme të Greqisë dhe administratës së Qipros greke.
"Ne dëshirojmë të zhvillojmë marrëdhënie me BE-në në një mënyrë të përbashkët, por kjo nuk mund të arrihet në mënyrë të njëanshme", tha Çavuşoğlu kur u pyet për marrëdhëniet e Ankarasë me BE-në.
Ai tha se anëtarësimi në BE, emigrimi, marrëveshja e unionit doganor, lufta kundër terrorizmit dhe çështja e vizave janë temat kryesore në marrëdhëniet, duke shtuar: "Ka angazhime që BE-ja nuk arriti t'i përmbushë në lidhje me marrëveshjen e emigracionit. BE-ja duhet të bëjë detyrën e saj".
"Ne marrim pjesë në dialog, bashkëpunim dhe diplomaci", tha ai dhe nënvizoi se sfidat me të cilat sot përballet BE-ja nuk mund të zgjidhen vetëm dhe ato kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar.
Ministri kroat tha se kriza aktuale politike në mbarë globin buron nga kërcënimet asimetrike, duke iu referuar grupeve të vogla terroriste, dhe tha se lufta e sotme ka ndryshuar në mënyrë drastike, sidomos lufta kundër terrorit.
Ai theksoi se terrorizmi nuk ka fe dhe se sot ai nuk është një çështje kombëtare, duke shtuar se të gjitha shtetet duhet të bashkëpunojnë për të eliminuar këtë kërcënim.