Borrell: I gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet ta njohë Kosovën
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell guxoi të kërkojë në Beograd njohjen e Kosovës nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar.
Gjithashtu gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, ai shpresoi për rifillimin e shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi. Borrell siguroi se kur një gjë e tillë të ndodhë, Bashkimi Europian do të jetë i gatshëm për të ndërmjetësuar. Përfaqësuesi i lartë, ndërsa vlerësoi rolin e ShBA-së në dialog nënvizoi se Uashingtoni nuk mund t’i sigurojë i vetëm Kosovës, vendin në Organizatën e Kombeve të bashkuara. "Ka edhe vende të tjera përveç atyre europiane, si Kina, Rusia apo India. Besoj se tani çdokush e kupton se Kosova duhet të njihet nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar," tha Borrell. Presidenti Vuçiç tha se të dy palët kishin disa vjet më parë shansin për të arritur një kompromis, por tani sipas tij një gjë e tillë u shua dhe ai nuk sheh ndonjë mundësi për dialog. Pavarësisht pesimizmit, Vuçiçi tha se Serbia është gati të bisedojë me Prishtinën pas shfuqizimit të taksës. Pas takimit me Borrell-in, Vuçiçi i kujtoi shtypit se një ditë më pas Bashkimi Europian do të ketë 27 vende anëtare dhe se Serbia mund të bëhet vendi i 28 anëtar.