Shkurt 15, 2020 14:27 Europe/Tirane
  • Poezi nga Migjeni

Migjeni është një nga poetët e mirënjohur shqiptar i cila gjithnjë ka trajtuar tema të ndryshme shoqërore, kulturore, morale e politike duke kritikuar fenomenet negative të shoqërisë së kohës së tij duke ndjekur një ideal të lartë. Në vijim po sjellim disa poezi të zgjedhura rastësisht nga veprat e tij.

Poema e Mjerimit

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,

kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi

kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta

që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita

edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin

të tan jetën e vet derisa të vdesin.

 

E mbi ta n’ajri, si në qesendi,

therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,

profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta

shkëlqejnë. E mjerimi mirfilli ndien tradhti.

Mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,

asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,

balli që e ka, syt që e shprehin,

buzët që më kot mundohen ta mshefin

janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,

t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës

mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm

me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

 

Mjerimi s’ka fat. Por ka vetëm zhele,

zhele fund e majë, flamujt e një shprese

t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

 

Mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.

Nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,

mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta

lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,

kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,

kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta

edhe shuhet uja, dhe fashitet etja

n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.

Dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat

që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

 

Mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit

dridhet posi flaka e mekun e qirit

nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,

ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,

ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq

tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,

e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,

mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.

Foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,

e ama s’e don, por vetëm mallkon.

Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit

ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

 

Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive

të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,

ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive

kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

 

Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,

don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,

atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit

kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit

dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,

një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.

Nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon

qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

 

Mjerimi punon, punon dit e natë

tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,

tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë

e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.

Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh

në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

 

Mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,

buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,

trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,

që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,

dhe për at shërbim ka për të marrë do franga

ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

 

Mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim

-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,

por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,

mund që t’len kujtim ditën e dikurshme

kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra

nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,

kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za

plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,

ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.

Kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem

thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.

 

Dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash

mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.

Mjerimi ka motër ngushulluese gotën.

Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale

të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën

n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.

E gota e turbull, gota satanike

tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni-

dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,

nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.

Tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt

kur njiqind i derdh një nga një në fyt.

Mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina

dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

 

Mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,

dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh,

që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh

ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.

 

Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejt!

Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë,

t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt

i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak

tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

 

Mjerimi asht një njollë e pashlyeme

n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.

Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme

ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.

 

Sonet Pranveruer

Me kangë në buzë e me hove të reja

u zgjue agimi pranveruer,

largësinat e hjedhta ka zatetë hareja,

n’argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.

 

Me kangë në buzë u zgjue agimi

dhe ia këndoi kangën diellit t’ art

rrezash purpure dhe jetëdhurimi

me kaltrinat e thellta në qiellë të kjartë.

 

Me manushaqe në buzë e me andje në zemra

vajzat si biluri ndër kopshtie të gjelbra

dihasin aromat, që lulzimi derdhi,

 

me gji të paprekun, ku dashnia sosë

me fletza trandafilesh që flladi sjelli

dhe adhrojnë pranverën me një apoteozë

 

Të Bijtë e Shekullit të Ri

Na të birtë e shekullit të ri,

që plakun e lamë në “shejtnin” e tij

e çuem grushtin për me luftue

ndër lufta të reja

dhe me fitue

Na të birtë e shekullit të ri,

filizat e një toke së rimun me lot,

ku djersë e ballit u dikonte kot

se dheu ynë qe kafshatë e huej

dhe në marrzi duhej shum shtrejtë t’u paguhej.

Na të birtë e shekullit të ri,

vllazën të lindun e të rritun në zi,

kur tinglloi çast’ i ynë i mbramë

edhe fatlumë

ditëm me thanë :

S’duem me humbë

në lojë të përgjaktë të historis njerzore,

jo! jo! s’i duem humbjet prore

duem ngadhnim!

ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!

S’duem, për hir

të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë “shejtnim”,

të zhytemi prap në pellgun e mjerimit

që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,

kangën monotone, pa shpirt, të sklavnis

të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.

Na të birtë e shekullit të ri,

me hovin ton e të ndezun peshë,

ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë

dhe për fitore kem’ me ra fli.

 

Zgjimi

O vullnete të ndrydhuna ndër grushta të çelikta të shekujve të kaluem!

0 vullnete të shtypuna me themra të ngurta të titajve të tërbuem!

Të cilët n’udhë për në theqafje këtejpari i ranë

dhe vatrat tona në mjerim i përlanë

0 vullnete të ndrydhura!

0 vullnete të shtypuna!

Shkundni prangat të mbrapshta! E me brimë ngadhnyese,

me hove viganash, dëshirash flatruese,

turniu në të gjitha anët dhe poshtë në dhë zbritni

ndosht’ aty keni për të gjetë fillin e një hymni,

që Illyri e vjetër ndër kremtime këndonte,

ndërsa zemra e kombit në liri kumbonte.

0 vullnete të ndrydhuna!

0 vullnete të shtypuna!

Tash shëgjetat e flakta të shprehjes suej zharitse

drejtoni kah qiella në ball të hyut a të dreqit,

i cili fatin tonë mbytte në mnijë të vet përpise

a dijë se të Birt’ e Shqipes folen ia ngrehën vetvetit.

 

VETMIJA

Më plak mërzitja

që vetmia më sjell;

përbuzja, urrejtja

të gjith sendet m’i mbështjell

që kam shumë anmiq

të liq

në këto sende pa shpirt,

Nuk flasin.

As sy s’kanë.

Po mue më bahet

se aty janë

vetëm që të më plasin

zemrën.

Së paku, të më shajnë:

I mallkuem!

Së paku, të anë tallin:

I uruem!

Së paku, të më këndojnë:

I yni zot!

Ose të më thonë:

Jeton kot!

Të flasin, të flasin se fjalë due

në kët vetmi me ndigjue.

Ose të më tregojnë historinë

e tyne, autobiografinë:

ndoshta ty do gjej gjasim

me jeten time pa tingllim

që në vetmi po e kaloj

dhe s’po dij a rroj e s’rroj.

Sendet heshtin. sa të pamëshirë!

Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,

pse gojë s’kanë

dhe nuk flasin,

aty janë

vetëm të më plasin

zemrën teme që po vuen

dhe në mërzi vetveten truen.

 

Nën flamujt e melankolisë

Ne vendin tone

kudo valojne

flamujt e nje melankolie

te trishtueshme

dhe askush s’mund te thote

se ketu rron

nje popull qe nderton

dicka te re.

Aty ketu ne hijet

e flamujve

mund te shifet

nje mund, nje perpjekje

e madhe permbi vdekje

per te pjelle dicka te madhe,

per te qite ne drite nje xhind!

Por,(o ironi)

nga ajo perpjekje lind

vetem nje mi.

Dhe keshtu kjo komedi

na plas diellin e gazit,

nsa prej marazit

pelcasim.

Ne prakun e cdo banese

ku ka ndonj shenj jetese

valon nga nje flamur

melankolie te trishtueshme.

 

Vuejtja

Ka do dit

që po shof fare mirë

se si nga vuejtja syt po më madhohen,

nepër ball dhe ftyrë rrudhat po më shtohen

e si buzqeshja m’asht e hidhun

dhe po ndij

se si mëngjeset e mia

nukjanë ma mëngjese hovi e pune,

as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë

e një jete që s’durohet.

Dalngadalë po shof

si jeta një nga një

secilin ndjesi

me tradhti

po ma vulos

dhe s’po më mbetë asgja

që me u nda

si shej gëzimi,

përpara

nuk e dishe, ojetë,

se kaq i tmerrtë

asht grushti i yt

që mbyt

pa mëshirë.

Por kot

në pasqyrë po shof

se si nga vuejtja syt po më madhohen

nëpër ballë dhe në ftyrë rrudhat po më shtohen,

dhe shpejt do të bahem

flamur i vjetruem

i rreckuem

ndërluftat e jetës.

 

 

Tags