Xhamajka njeh Pavarësinë e Kosovës
(last modified Thu, 20 Feb 2020 19:31:53 GMT )
Shkurt 20, 2020 20:31 Europe/Tirane
  • Xhamajka njeh Pavarësinë e Kosovës

Shteti i Xhamajkës, ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i vendit Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në Twitter.

Thaçi ka thënë se ambasadorja e Kosovës në New York, ia ka kumtuar lajmin. “Xhamajka e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur. Ky është rezultat i një pune të vështirë të lobimit disavjeçar, përfshirë edhe Eliot Engel. Punë e mirë. Faleminderit miq të dashur nga Kingstoni”, ka shkruar Thaçi. Aktualisht, në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, figurojnë 116 shtete, të cilat thuhet se e kanë njohur Kosovën, ndërkaq ky është shteti i 117. Përderisa Kosova nuk e ka një pasqyrë të saktë se a janë 117 apo më pak vende që e njohin atë si shtet, gjasat e saj për anëtarësim në organizata e mekanizma ndërkombëtarë konsiderohen si fare të vogla, çka është dëshmuar me dështimin e saj për t’u anëtarësuar në INTERPOL. Ministria e Jashtme e Kosovës, kohë më parë e kishte akuzuar Qeverinë e Serbisë se po ofron ryshfet në këmbim të tërheqjes së njohjes për Kosovës. Më herët, zyrtarët e institucioneve të Kosovës kanë thënë se në tre vjetët e fundit, Kosova është përballur me një fushatë të paprecedentë diplomatike dhe propagandistike nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera, për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.