Qytetarët kërkojnë masa shtesë ndaj koronavirusit
(last modified Wed, 26 Feb 2020 13:14:24 GMT )
Shkurt 26, 2020 14:14 Europe/Tirane
  • Qytetarët kërkojnë masa shtesë ndaj koronavirusit

Qytetarët nuk e fshehin frikën nga përhapja e koronavirusit të ri edhe në Kosovë, pasi që i njëjti tashmë është konfirmuar se ka prekur njerëz në vende të ndryshme botërore. Shqetësimet janë rritur sidomos ditët e fundit, pas raportimit të rasteve në Itali.

Në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me virusin e ri, i cili ka marrë edhe emrin zyrtar COVID-19, e që besohet se e ka origjinën në Kinë. Megjithatë shumë qytetarë mendojnë se të gjithë duhet t’i shtojnë masat për të parandaluar apo edhe përballuar një përhapje eventuale.

Gjatë ditës së martën, në Qendrën Klinike Universitare, u paraqitën tre raste të dyshuara me koronavirus. Por, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se analizat dolën negative për koronavirusin e ri.

Antigona Kuqi, qytetare nga Prishtina, thotë se nuk e di nëse institucionet gjegjëse janë mjaft të përgatitura në rast të shfaqjes së këtij virusi në Kosovë.

“Ne në Kosovë, mendoj se gjendjen në spitale nuk e kemi edhe shumë të mirë. Kjo po më bën të ndjehem e pasigurt pasi që virusi ka arritur në Itali dhe mendoj se shumë shpejtë do të ketë edhe në Shqipëri, çka më shkakton frikë se do të vjen pastaj edhe te ne”, thotë Kuqi.

“Unë për vete udhëtoj me trafik urban, çka më bën të jem në kontakt me shumë njerëz dhe kjo po më shkakton frikë. Si qytetare do të doja ta di çfarë masa kanë ndërmarrë qeveria dhe institucionet tjera”, thotë ajo.