Meta: Jo vetëm solidaritet, por dhe mirënjohje ndaj Italisë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur në një intervistë për televizionin italian “RAI News 24” për situatën e krijuar nga koronavirusi.
Sipas Metës, vendimi për të dërguar në Itali 30 mjekë dhe infermierë është një mision humanitar, që demonstron solidaritetin e popullit shqiptar dhe të institucioneve shqiptare për Italinë dhe popullin italian. "Ky mision humanitar është një demonstrim solidariteti i popullit shqiptar dhe i institucioneve shqiptare për Italinë dhe për popullin italian. Nuk është një gjest i thjeshtë solidariteti, por është një demonstrim mirënjohjeje gjithashtu, që populli shqiptar ka për çdo gjë që Italia dhe populli italian kanë bërë historikisht, duke na ndihmuar në momentet më të vështira të vendit, të kombit tonë dhe të popullit tonë", theksoi Presidenti i Shqipërisë. Presidenti Meta shtoi: "Është një sfidë e përbashkët, sepse është një kërcënim i përbashkët për vendet tona, për njerëzit tanë, në veçanti për marrëdhëniet midis popullit italian dhe atij shqiptar, që është shumë e fortë, duke marrë në konsideratë, jo vetëm të gjithë komunitetin shqiptar, e kam fjalën për atë arbëresh, që jeton në Itali, por edhe për komunitetin e ri të shqiptarëve të cilët erdhën në Itali gjatë tre dekadave të fundit".