Virusi Korona merr jetën e personit të pestë në Kosovë
Viktima e 5-të është shënuar në Kosovë teksa numri i të shëruarve ka shkuar në 30. Ky është bilanci në 30 ditë në Kosovë që nga shfaqja e COVID-19 më 8 mars. Të 5-të viktimat kanë pasur më parë sëmundje shoqëruese teksa autoritetet kanë kryer 2 mijë e 352 testime të kontakteve të afërta.
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare në Kosovë (QKUK) aktualisht janë të shtruar 49 pacientë të prekur nga koronavirusi.
Sipas njoftimit të QKUK-së, tre pacientë janë në gjendje kritike, gjashtë janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen me oksigjenoterapi, ndërsa gjendja e 40 pacientëve të tjerë është stabile.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë liruar 18 raste, të cilat janë testuar dhe kanë rezultuar negativ për Covid -19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]”, thuhet në njoftim.
Në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus është 184, pesë pacientë kanë vdekur, ndërsa 30 janë shëruar.
Nga radhët e komunitetit serb në Kosovë janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj- Berisha dhe infektologu prof.Sali Ahmeti, kanë mbajtur një konferencë për medie, në lidhje me gjendjen e pacientëve me Coronavirus të shtrirë Klinikën Infektive në QKUK
Ajo ka thënë se në kuadër të pacientë që po trajtohen në këtë klinikë, janë edhe pesë anëtarë të stafit të Klinikës të cilët janë të infektuar me Coronavirus por që tha se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, raportion E.O.
“Ashtu siç jeni informuar edhe zyrtarisht, gjatë ditës së djeshme ka vdekur edhe një 56 vjeçar nga Prishtina, i cili pos infeksionit me Coronavirus ka qenë edhe me disa sëmundje tjera, kështu duke e quar numrin në katër të të vdekurve në Klinikën Infektive”.
“Në kuadër të Klinikës Infektive, kemi pesë anëtarë të stafit të Klinikës të cilët janë të infektuar me Coronavirus por fatmirësisht gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Dy janë në vetizolim ndërsa tre janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, ku njëra prej tyre ka rezultuar negative në dy teste dhe pritet të lëshohet”, ka thënë ajo.
Sali Ahmeti infektolog, foli për gjendjen e pacientëve të shtrirë në këtë klinikë.
Ai tha se 9 pacientë janë në gjendje pak më të rëndë, ku dy prej tyre janë me ventilim mekanik. Ndërsa dha edhe një lajm të mirë, ku tha se është shëruar një 77 vjeçar, që ishte prekur me Coronavirus.
“Ne i kemi gjithsej 49 pacientë aktualisht të shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK, prej të cilëve 9 në gjendje pak më të rëndë, ku dy prej tyre janë me ventilim mekanik. Sidoqoftë ne po bëjmë sa është e mundur që gjendja e tyre të përmisohet dhe presim zhvillime të situatës në ditët në vazhdim”.
“Ne mbrëmë kemi pasur rastin e katërt që ka vdekur nga Coronavirusi këtu në Klinikën Infektive dhe iu shpreshim ngushëllime familjarëve të viktimës, por krahas lajmeve të dhimbshme, ne kemi edhe lajme të mira”.
“Sot lajm i mirë është se lirojmë edhe rastin e parë të hospitalizuar, një pacient 77 vjeçar, i cili ka pasur sëmundje kronike të më hershme, por që ka pasur edhe një infeksion shumë të rëndë me Coronavirus dhe përkundër kësaj falë angazhimit profesional të Klinikës, pacienti ka arrit të mbijetojë dhe është në gjendje të mirë shëndetësore”, ka thënë ai.