Edhe në Shqipëri nuk ka të ndalur virusi Korona
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i96381-edhe_në_shqipëri_nuk_ka_të_ndalur_virusi_korona
Mungesa e masave mbrojtëse në fasoneri dhe përhapja në familjet e punonjësve, e ka kthyer Krujën në një vatër të rrezikshme të infektimit me koronavirus.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Prill 21, 2020 07:58 Europe/Tirane
  • Edhe në Shqipëri nuk ka të ndalur virusi Korona

Mungesa e masave mbrojtëse në fasoneri dhe përhapja në familjet e punonjësve, e ka kthyer Krujën në një vatër të rrezikshme të infektimit me koronavirus.

Nga hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në këtë qytet kanë rezultuar pozitiv me koronavirus 25 raste të reja.Lajmi i mirë është se në raportimin e ditës së martë nga ana e ISHP-së, përveç Krujës dhe Kurbini, nuk kishte asnjë rast të ri në qytetet e tjera të prekura nga COVID-19.

Regjistrohen 25 raste të reja pozitive me Covid 19 gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë, duke e çuar në 609 numrin e të infektuarve.

"Janë testuar 242 persona të dyshuar me COVID-19.Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 25 raste pozitive me COVID19" informoi Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico.

Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar pozitivë 17 persona dhe në Kurbin ku kemi 8 raste të reja.

Sot është dita e parë që nga fillimi i epidemisë që Tirana nuk ka asnjë rast të ri.

Deri në këto momente janë testuar 6017 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 609 raste.

Gjatë 24 orëve të fundit, 18 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 345.

Aktualisht në vendin tonë janë 238 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Në shërbimin Infektiv aktualisht janë 32 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 3 pacientë janë në pavion.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë.

Pavarësisht luhatjesve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij,  Fico tha se situata është e kontrolluar.

"Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme. Në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është e rëndësishme që qytetarët të respektojnë masat e distancimit fizik, si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit.Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye".

Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik apeloi qytetarët të cilët shfaqin shenja të sëmundjes COVID19 që të telefonojnë në numrin e urgjencës 127.