Vitia: 7 raste të reja me koronavirus dhe 22 të shëruar
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i96666-vitia_7_raste_të_reja_me_koronavirus_dhe_22_të_shëruar
Të enjten në Kosovë janë bërë 243 testime për koronavirusin e ri.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
May 01, 2020 07:46 Europe/Tirane
  • Vitia: 7 raste të reja me koronavirus dhe 22 të shëruar

Të enjten në Kosovë janë bërë 243 testime për koronavirusin e ri.

Sipas ministrit në detyrë të Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, nga këto testime kanë dalë 7 persona pozitiv me koronavirus.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 806.

Vitia ka njoftuar se ekipet mjekësore kanë konfirmuar shërimin edhe të 22 personave që kanë qenë të sëmurë me COVID-19.

"Dita e katërt me radhë që i kemi këto rezultate pozitive të cilat lidhen me punën, angazhimin dhe respektimin e rregullave", ka shkruar Vitia në rrjetin social Facebook.

Që nga shpërthimi i pandemisë, numri i të shëruarve ka arritur në 271.

Nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur 22 pacientë.

Katër ditët e fundit të prillit kanë shënuar rritje të konsiderueshme të numrit të të shëruarve nga koronavirusi në Kosovë. Vetëm nga 27 prilli e deri më 30 prill, në vend janë shëruar 105 persona.Në të katër ditët rresht, duke nisur nga e hëna e 27 prillit, numri i të shëruarve ka qenë më i lartë se ai i rasteve të reja pozitive. Përderisa u regjistruan 105 të shëruar, në këto katër ditë numri total i rasteve të reja pozitive ishte 43.

Ditën e hënë u regjistruan 35 raste të shëruara, ndërsa ishin 17 raste të reja me Covid-19. Një ditë më pas, u regjistruan si të shëruar edhe 31 persona të tjerë, ndërsa 10 raste ishin pozitive. E mërkura e 29 prillit pati bilanc më të përafërt – atë ditë u shëruan 17 persona e u regjistruan nëntë raste të reja pozitive. Më 30 prill, në Kosovë u regjistruan 22 të shëruar e ishin vetëm shtatë raste pozitive me koronavirus.