Tre të prekur me COVID-19 në gjendje të rëndë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i97220-tre_të_prekur_me_covid_19_në_gjendje_të_rëndë
Tetë pacientë të prekur me COVID-19, janë duke u trajtuar aktualisht në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Për gjendjen e tyre ka dhënë detaje zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, raporton Express
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
May 21, 2020 07:39 Europe/Tirane
  • Tre të prekur me COVID-19 në gjendje të rëndë

Tetë pacientë të prekur me COVID-19, janë duke u trajtuar aktualisht në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Për gjendjen e tyre ka dhënë detaje zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, raporton Express

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka treguar se një pacient është me gjendje të rënduar dhe se po trajtohet në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intenstive, derisa dy pacientë janë në Mjekim Intensiv.  

“1 pacientë është me gjendje të rënduar dhe trajtohet në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe 2 pacientë janë në Repartin e Mjekimit Intensiv duke u trajtuar (njëri në gjendje të rëndë me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe tjetri në gjendje kritike dhe në ventilim mekanik)”, ka shkruar Hoti.

Sot nga kjo klinikë do të lirohet një pacient, i cili ka rezultuar negativ në testimin për Covid -19 si dhe për dy raste priten rezultatet.

Të mërkurën (20 maj) në Kosovë u konfirmuan edhe 14 raste të reja me koronavirus.

"Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Prizrenit 8 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Prizren) dhe komuna e Rahovecit 6 raste (sipas vendbanimit 6 raste Rahovec)", thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shendetësisë Publike (IKSHPK).

Nga të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë shkon në 1.003.

Në njoftim, po ashtu bëhet e ditur se janë shëruar edhe tre pacientë, të cilët e çojnë në 772 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Situata pandemike në Komunën e Malishevës, konsiderohet e qetësuar, pasi sot e 21 ditë, nuk është regjistruar asnjë rast i prekur nga virusi korona, ndërsa janë shëruar 73 persona, dhe vetëm dy raste vazhdojnë të jenë aktiv me COVID-19.

“Kjo qetësi, është  falë zbatimit të masave parandaluese, disiplinës së treguar nga qytetarët, dhe falë punës dhe angazhimit të shtabit emergjent komunal në Malishevës, që kanë bërë një sakrificë të jashtëzakonshme në menaxhimin e situatës me COVID-19”, thuhet në njoftimin për media.

“Për këtë, qytetarët e Komunës së Malishevës, meritojnë respekt dhe falënderim të veçantë për kujdesin e treguar gjatë kohës së pandemisë, e cila vazhdon ende dhe përsëri ju bëjmë apel që të kenë kujdes dhe zbatim rigoroz të masave parandaluese ndaj COVID-19”, ka thënë kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.