Kosova vazhdon luftën kundër virusit Korona, pavarësisht krizës politike
Tetë pacientë të prekur me COVID-19 janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në QKUK.
Prej tyre, katër raste janë në gjendje stabile, dy raste po trajtohen në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, ndërsa dy raste janë në repartin e Mjekimit Intensiv ku njëri pacient është në gjendje kritike.
Në repart vazhdon trajtimin edhe një pacient, i cili ka rezultuar negativ në testimin e fundit për Covid-19.
Pas tetë rasteve të reja të konfirmuara mbrëmë në Vushtrri me Coronavirus, kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, ka konfirmuar se këto raste kanë qenë raste kontakti me të infektuarin që doli pozitiv në ditën e shtunë.
Tahiri tha se personi i cili doli pozitiv ditën e shtunë kishte frekuentuar tri ordinanca private, por të njëjtat nuk e kanë rekomanduar për testim për Covid-19, anipse ka pasur shenja.
Nga ky person, sot janë infektuar 8 persona, në mesin e tyre janë tre punëtorë shëndetësorë.
Tahiri në një lidhje direkte në RTV Dukagjin, po ashtu tha se për dy javët e ardhshme shërbimet si Rentgen dhe marrja e infuzioneve do të jenë të mbyllura, kështu që ta ruajnë personelin mjekësorë.
Të gjitha rastet e kontakti në Vushtrri janë në vetizolim, duke përfshirë edhe ata që kanë rezultuar negativ për Covid-19.
Deri tani kjo komunë ka shënuar gjithsej 55 raste me koronavirus, ku 31 prej tyre janë aktive.