Vuçiq: Pres propozim për Kosovën
(last modified Sun, 07 Jun 2020 19:12:02 GMT )
Qershor 07, 2020 21:12 Europe/Tirane
  • Vuçiq: Pres propozim për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se heqja e masave të reciprocitetit krijon hapësirë për dialogun me Kosovën.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se po e pret ardhjen e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, në Beograd dhe Prishtinë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi. Vuçiq po ashtu tha se ka hequr dorë, nga siç u shpreh ai, nismat e mëdha për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe është duke pritur propozimin. “Kjo gjë e hapë mundësinë që ne të fillojmë bisedimet, nëse ajo masë mbetet për më shumë se disa ditë dhe besoj se nuk është çështje përndjekjeje dhe rivaliteti në mes të dy palëve, por një çështje thelbësore, çështje e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, një nga liritë më të rëndësishme të botës moderne, dhe besoj se do të ketë një efekt të mirë në ekonominë e Beogradit dhe Prishtinës, do të ketë një efekt të mirë te njerëzit. Pra, jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët, kjo do të krijojë një lloj kornize në mënyrë që komunitetet tona të biznesit të mund të bashkëpunojnë më mirë. Sigurisht, kjo do të hapë mundësinë e dialogut politik në mes nesh”, ka thënë ai. Ai tutje ka shtuar se në marrëveshjen përfundimtare me Kosovën, Serbia duhet të humbasë më së paku që është e mundur. Vuçiq ka thënë se serbët dhe shqiptarët duhet t’i zgjidhin vet problemet e tyre, duke shtuar se ka hequr dorë nga shumë iniciativa të mëdha për të pritur se çfarë do të propozohet nga fuqitë e mëdha.

 

Tags