Kosova në ndërrimin e qeverisë dhe politikave, shtohen rastet me virusin Kosova
Mosrespketimi i masave mbrojtëse ka rezultuar me rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus në Kosovë, thanë përfaqësues të autoriteteve shëndetësore në vend.
Në Kosovë vetëm gjatë ditës së dielës janë regjistruar 40 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Nisur nga rritja e numrit të rasteve me koronavirus, autoritetet shëndetësore iu bëjnë thirrje qytetarëve për respektim të masave mbrojtëse: si ruajtja e distancës fizike, mbajtja e maskave si dhe higjiena personale, transmeton REL.
Gjatë një vizitë në pikën kufitare në Vërmicë, që lidh Kosovën me Shqipërinë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kërkoi nga qytetarët që të jenë më të kujdesshëm gjatë lëvizjes së tyre.
“Të gjitha ata që hyjnë në Kosovë të respektojnë masat konkrete të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”, tha Zemaj.
Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha se nëse Instituti e sheh se qytetarët që nuk po përfillin këto rekomandime, do të ndërmarrin masa rigoroze deri në kufizimin e lëvizjes apo qarkullimit.
“Kalimi i kufirit në mënyrë të lirë nuk nënkupton që ne do të rrezikojmë shëndetin e qytetarëve të Kosovës apo të Shqipërisë. Kalimi dhe lehtësimi i masave nënkupton lëvizjen e lirë duke u mbrojtur, duke rekomanduar të gjitha masat si distanca fizike, bartja e maskave dhe higjiena personale”, tha Ramadani.
Qeveria e Kosovës, një ditë më parë ka miratuar disa masa lehtësuese të rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Në Kosovë nga 8 qershorit, është hequr orari i kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Po ashtu qytetarët që hyjnë në Kosovë, përmes kufijve tokësorë, nuk do të detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë, por ata do të kontrollohen në kufi nga ekipet mjekësore.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë u regjistruan më 13 mars.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë regjistruar 1,234 raste dhe 31 pacientë kanë vdekur dhe 890 pacientë janë shëruar.
Pas lehtësimit të masave për lëvizjen e qytetarëve në pikën kufitare në Vërmicë është parë një numër i madh i qytetarëve që po hynin në Kosovë.
Ndonëse shumë prej tyre nuk po respektonin masat mbrojtëse si mbajtja e maskave, ata vetëm iu nënshtruan kontrolleve mjekësore ku edhe iu morën të dhënat e tyre personale.
Mosrespektim të distancës pati edhe tek radha e qytetarëve që prisnin për t’u kontrolluar.
Andi Nilo thotë se ka pritur dy orë për të hyrë në Kosovë. Derisa tregon për kontrollet mjekësore të cilave iu nënshtrua, ai ankohet se nuk patë shenjëzime për mbajtje të distancës sociale që po rekomandohet si masë parandaluese ndaj COVID19.
“Po matëm temperaturën, thanë mbajë distancën por nuk ka as shenja se sa duhet të rrimë. Kështu me fol gjithçka por me vepra asgjë nuk po bëhet...dy orë”, tha ky qytetar.
Nga Shqipëria drejt Kosovës sot kishte marr rrugë edhe Ermidon Agaj i cili thotë se nuk i frikësohet shtimit të rasteve të reja me koronavirus në Kosovë.
“Pati pak (kolonë) po ia vlen... po u kontrolluam na i morën numrat e telefonit”, tregoi për procedurat në të cilat kaloi Agaj.
Ndriqim Ngadica sot me lehtësimin e masave ka zgjedhur të vijë për vizitë në Prizenin.
Ai thotë se kreu kontrollet mjekësore dhe konform kërkesave, dha të dhënat e tij personale.
“Vetëm me e pa sepse jetoj në kurbet, me pa Prizrenin e për t’u kthyer... dokumentet normale si kartën e identitetit, emrin, mbiemrin dhe u kontrolluam këtu”, tha ai.
Mbrëmë Qeveria e Kosovës ka lehtësuar masat për qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave me shtetet e rajonit, për të cilat pati kufizime që nga 13 marsi kur u paraqitën rastet e para me COVID-19 në vendin tonë.
Po ashtu, nga sot qeveria vendosi që të heqë orarin e kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.