Shqipëri, shënohen 31 raste të reja dhe 1 viktimë tek Infektivi
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i97797-shqipëri_shënohen_31_raste_të_reja_dhe_1_viktimë_tek_infektivi
Vazhdojnë shifrat e larta të të infektuarve në vend, ku në 24 orët e fundit janë shënuar 31 raste të reja me Covid-19.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Qershor 12, 2020 07:51 Europe/Tirane
  • Shqipëri, shënohen 31 raste të reja dhe 1 viktimë tek Infektivi

Vazhdojnë shifrat e larta të të infektuarve në vend, ku në 24 orët e fundit janë shënuar 31 raste të reja me Covid-19.

Pjesa më e madhe e të infektuarve janë raste kontaktesh të rasteve të mëparshme.

Po ashtu, shënohet edhe një viktimë.

Një 71-vjeçar ka humbur jetën nga Covid-19 te Infektivi ku ishte prej më shumë se dy javësh i shtruar.

Testimet - Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 300 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 31 raste pozitive, pjesa më e madhe kontakte familjare të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka disa raste të reja në proces hetimi në Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë.

Rastet e reja - Shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 8 raste në Tiranë, 6 në Pukë, 5 në Shkodër, 5 në Vlorë, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Elbasan, dhe 1 rast në Lushnje.

Të shëruar - Gjatë 24 orëve të fundit numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të prekurve nga Covid19. Janë shëruar 33 qytetarë.

Të vdekur - Një pacient nuk e ka fituar dot betejën me Covid19. Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 71 vjeçar nga Durrësi, i shtruar prej më shumë se dy javësh.

Në spital - Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 48 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive.

Raste aktive - Në vendin tonë janë aktualisht 346 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton edhe njëherë për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e rregullave dhe për të mos e ulur vigjilencën në asnjë moment.

Shënohen 5 raste të reja me Covid-19 në Shkodër dhe 6 në Pukë, nga 28 mostra të marra ditën e djeshme.

Rastet e Shkodrës janë kontakte të mëparshëm dhe 1 rast i ri në Vrakë të Malësisë së Madhe, që nuk ishte prekur para hapjes.

Shkodra deri dje ka raportuar 42 raste aktive, ndërsa së bashku me 11 rastet e reja sot shkon në 53.

Autoritetet shëndetësore në qarkun e Shkodrës kanë ngritur alarmin e rritjes së numrit të të infektuarve, kryesisht në bashkinë Shkodër, Pukë dhe Vau i Dejës.

Sipas tyre, me gjithë masat shtrënguese të marra edhe me mbylljen e lokaleve, konstatohet se persona të veçuar të infektuar, të cilët duhet të rrinë të izoluar, dalin jashtë dhe bëhen burim i përhapjes se infeksionit.

 Ndërkohe konstatohet se neper lokale nuk po respektohen rregullat e distancimit dhe nga vetë nëpunësit nuk po përdoren masat mbrojtëse.

Autoritetet kanë bërë thirrje nëse nuk respektohen masat  institucionet shtetërore do të detyrohen që të gjitha subjektet t’i respektojnë ato edhe nëpërmjet sanksioneve, duke paralajmëruar shtimin e inspektimeve  kryesisht në barë, restorante e fasoneri.