Shqipëri, regjistrohen 57 raste të reja në 24 orët e fundit
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i97853-shqipëri_regjistrohen_57_raste_të_reja_në_24_orët_e_fundit
Ditën e sotme është shënuar një tjetër rekord negativ për sa u përket numrit të infektimeve me Covid-19 në Shqipëri. Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin tonë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, 57 persona.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Qershor 14, 2020 07:43 Europe/Tirane
  • Shqipëri, regjistrohen 57 raste të reja në 24 orët e fundit

Ditën e sotme është shënuar një tjetër rekord negativ për sa u përket numrit të infektimeve me Covid-19 në Shqipëri. Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin tonë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, 57 persona.

Ky është numri më i lartë i infektimeve deri më tani në vendin tonë. Kujtojmë se një shifër kaq të lartë Shqipëria nuk  e ka shënuar edhe në kulmin e pandemisë ku vendi ishte në izolim. Kruja ka numrin më të lartë të rasteve ditore, me 16 të prekur që lidhen me aktivitete biznesi dhe kontakte të tyre, e ndjekur nga Tirana me 14 raste, 9 në Vlorë, 8 në Shkodër, 6 në Lushnje, 2 në Pukë, 1 në Durrës, 1 në Fier.  Ndërkohë që janë në hetim shumë raste të reja në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Krujë.

Ndërkohë ditët e fundit në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të vendit është vënë re, neglizhencë nga qytetarët, duke mos respektuar distancën fizike, apo përdorimin e maskave.

Ndërkohë një ditë më parë në vendin tonë  u shënuan 48 raste pozitiv me koronavirus e ndërsa ka pasur edhe një rritje të të shtruarve në spital, 4 më shumë se dje. Ndërkohë, hartës së qyteteve të prekura është shtuar edhe Gjirokastra, ku ditën e djeshme ka shënuar rastin e parë.

Nisur nga fakti se po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje, subjekte tregtare apo institucione të ndryshme publike dhe private, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon bizneset, institucionet, kompanitë, kudo ku është e mundur puna nga shtëpia, të nxisin këtë mënyrë alternative për të frenuar përhapjen e Covid19.

Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar, qoftë edhe pa shenja, duhet të izolohet dhe se thyerja e karantinës është e dënueshme pasi rrezikon shëndetin e qytetarëve. Me organet e rendit po intensifikohet puna për të garantuar respektimin e karantinës së detyrueshme për përsonat e prekur nga Covid19.

Një kujtesë edhe për subjektet tregtare të shërbimit: maska apo barrierat mbrojtëse janë të detyrueshme dhe çdo shkelje do të dënohet sipas ligjt në fuqi.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon edhe njëherë ndërgjegjësim nga vetë bizneset dhe qytetarët të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të distancimit fizik dhe higjienës personale.

Inspektoret e task-forcës anti-covid do të ndëshkojnë çdo subjekt që thyen rregullat e vendosura.Edhe një herë ju drejtohemi qytetarëve: Jemi ende në luftë me një armik të padukshëm dhe këtë luftë mund ta fitojmë të gjithë së bashku duke zbatuar disa rregulla të thjeshta, qëndroni në distancë fizike, lani duart, përdorni maska në ambjente të mbyllura.

Lidhuni me mjekun tuaj të familjes nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40, për informacion rreth Covid19. Nëse keni shenja të sëmundjes, qëndroni të izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare, 127.