Takimi i ardhshëm Kosovë-Serbi në Uashington
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i97894-takimi_i_ardhshëm_kosovë_serbi_në_uashington
I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se ka marrë zotim nga qeveria e Kosovës dhe Serbisë që të takohen në Washington për të diskutuar rreth procesit të dialogut.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Qershor 16, 2020 02:31 Europe/Tirane
  • Takimi i ardhshëm Kosovë-Serbi në Uashington

I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se ka marrë zotim nga qeveria e Kosovës dhe Serbisë që të takohen në Washington për të diskutuar rreth procesit të dialogut.

Grenell, i cili ka bërë të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale se ky takim në Washington midis dy qeverive do të mbahet më 27 qershor, gjithashtu shkroi se ka zotim nga Serbia që përkohësisht të pezullohet me fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës. “Lajm i madh. Kam marrë zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që përkohësisht ta pezullojnë fushatën e çnjohjeve dhe kërkesën për anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohen në Washington, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për të biseduar rreth Dialogut”, ka shkruar Grenell. Më tej, Grenell shtoi se nëse ndonjëra nga palët është e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit atëherë do t’i kthehen “status quo”-s pasi të largohen nga Washingtoni. Grenell në fund të shkrimit të tij ka thënë se fokusi i këtyre takimeve është “përparimi në ngritjen ekonomike të të dyja vendeve”. Një iniciativë të tillë e ka përshëndetur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se “mirëpret ftesën për rifillimin e dialogut”. “Udhëheqja dhe mbështetja amerikane kanë qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen e prosperuar të Kosovës. Prandaj, unë mirëpres ftesën për të rifilluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump dhe emisarit Richard Grenell”, ka shkruar Thaçi. Presidenti Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti u takuan sot për bashkërendim të veprimeve në procesin e paralajmëruar të rifillimit të dialogut me Serbinë, përpara ardhjes së Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak. Lajçak do të qëndrojë në Kosovë nga 15 deri më 18 qershor, në udhëtimin e tij të parë zyrtar që nga marrja e postit të tij të ri.