Kosova të zgjedhë mes SHBA dhe BE?
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i97942-kosova_të_zgjedhë_mes_shba_dhe_be
Para takimit të 27 qershorit në Shtëpinë Bardhë midis përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, vijuan përplasjet për atë se kush duhet ta drejtojë dialogun.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Qershor 18, 2020 16:56 Europe/Tirane
  • Kosova të zgjedhë mes SHBA dhe BE?

Para takimit të 27 qershorit në Shtëpinë Bardhë midis përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, vijuan përplasjet për atë se kush duhet ta drejtojë dialogun.

I dërguari amerikan Richard Grenell, tha se takimi i 27 qershorit është mundësi për zhvillim dhe investime. “Shtetet e Bashkuara shpresojnë se liderët e Kosovës dhe Serbisë do ta shfrytëzojnë mundësinë e rikthimit në dialog që të nisin një epokë të re stabiliteti dhe mirëqenieje,” citohet Grenell nga ambasada amerikane në Prishtinë. Kosovën e vizitoi këtë javë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Prishtinë - Beograd Mirosllav Lajçak, i cili në të gjitha takimet theksoi se Kosova është pjesë e BE-së dhe dialogu është rruga për integrim. “27 vendet anëtare dërguan një sinjal të fuqishëm për angazhimin e tyre për Kosovën dhe rajonin. Jam i gatshëm të veproj pa vonesa dhe t’u mundësoj palëve të punojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirës e cila do të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura,” tha Lajçaku para largimit nga Prishtina. Në një linjë me të shkoi edhe ministri i Jashtëm gjerman Haiko Mass, i cili në një intervistë për DW-në tha se "nëse Ballkani Perëndimor synon të vijë në Europë duhet që dialogun, para së gjithash ta zhvillojë me Bashkimin Europian”. Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, thotë se nuk do të kënaqet vetëm me anëtarësimin në BE. “Përgjigja ndaj një oferte të mundshme për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pranimin e Kosovës në OKB dhe në këmbim ne nuk marrim asgjë por vetëm anëtarësimin në Bashkimin Europian, atëherë përgjigja jonë do të jetë "jo", tha presidenti Aleksandar Vučić pas takimit me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov në Beograd. Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, nisi në vitin 2011 në Bruksel. Ai u pezullua nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës vendosën një tarifë doganore prej 100 për qind ndaj mallrave serbe e boshnjake.