Kosovë, edhe tre viktima si pasojë virusit Korona
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i98107-kosovë_edhe_tre_viktima_si_pasojë_virusit_korona
Edhe tre persona me Covid-19 kanë vdekur në Kosovë. Këtë lajm e ka bërë të ditur QKUK-ja, e cila ka njoftuar se në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 101 persona me COVID-19.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Qershor 26, 2020 08:31 Europe/Tirane
  • Kosovë, edhe tre viktima si pasojë virusit Korona

Edhe tre persona me Covid-19 kanë vdekur në Kosovë. Këtë lajm e ka bërë të ditur QKUK-ja, e cila ka njoftuar se në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 101 persona me COVID-19.

Sot, nga klinika do të lirohen 16 raste, 13 raste Covid-19 pozitiv në gjendje stabile në vetizolim në shtëpi si dhe 3 të shëruar nga infeksioni me Covid -19.

44 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 5 raste, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 3 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë.

Dje, në Klinikën Infektive ka ndërruar jetë pacientja H.B. 1958 nga komuna e Prizrenit dhe sot në orët e mëngjesit ka ndërruar jetë pacienti A.M. 1964 nga komuna e Rahovecit, të cilët veç infeksionit me Covid-19 kishin edhe sëmundje shoqëruese.

Poashtu, sot në orën 10:30, ka vdekur pacienti me inicialet H.K, viti i lindjes 1959 nga Prizreni, i cili eshte pranuar në Njesinë Intensive në Qendrën e Mjekësisë Sportive ( NjIQMS) me datë 23.06.2020, si transfer nga Klinika e Pulmologjisë, i konfirmuar me strisho pozitive për COVID-19.

Në Kosovë u regjistruan të enjten edhe 69 raste të reja me koronavirus, njoftoi Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK).

Rastet e reja rezultuan nga 281 mostra të testuara.

Numrin më të madh të tyre e ka Komuna e Prishtinës: 37 raste të reja.

Sipas IKSHPK-së, Komuna e Istogut ka 8 raste, Komuna e Prizrenit 5 raste, Komuna e Fushë Kosovës 5 raste, Komuna e Mitrovicës 3 raste, Komuna e Ferizajt 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Drenas, Rahovec, Klinë, Lipjan, Obiliq, Pejë, Suharekë, Viti dhe Vushtrri.

IKSHPK-ja po ashtu njofton se të enjten janë shëruar 75 pacientë nga koronavirusi, me të cilët numri i përgjithshëm i të shëruarve shkon në 1,246.

Kosova deri më tash ka konfirmuar 2,432 raste me koronavirus.

Prej tyre, 42 kanë vdekur, ndërsa 1,144 raste mbeten aktive.

Në njoftimin për media, IKSHPK-ja thotë se bartja e maskave është obligative, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.