Kosovë, përkeqësohet edhe më shumë situata me virusin Korona
Instituti kombëtar i shëndetësisë Publike bën të ditur se numri total i rasteve pozitive me coronavirus është 2677, nga 23.339 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 49 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.425 raste, kurse raste aktive janë 1.203.
Instituti theksoi se zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve”, thuhej në njoftim.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se të dielën në Kosovë janë konfirmuar edhe 87 raste me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Rezultatet janë në bazë të 202 testimeve të kryera nga ana e Institutit.
Numri i të infektuarve, që nga mesi i muajit mars, ka arritur në 2677. Aktualisht janë 1.203 raste aktive.
Sipas njoftimit, nga sëmundja janë shëruar edhe 31 pacientë duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 1.425.
Që nga fillimi i epidemisë, në Kosovë janë shënuar 49 të vdekur.
Më herët kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha përmes një postimi në rrjetin social Facebook se rritja e numrit të rasteve me koronavirus në Kosovë po rrezikon kapacitetet e Klinikës Infektive. Hoti tha se kjo situatë dhe mosrespektimi i masave mbrojtëse mund të çojë në kthimin e izolimit total.
“Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, tha ai.
Rritja e madhe e të infektuarve me koronavirus, Zemaj vjen me një apel
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër koronavirusit, pas rritjes së theksuar të rasteve.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Zemaj ka thënë se koronavirusi vazhdon të kërcënojë shëndetin tonë.
“I tërë personeli mjekësor në klinikat e QKUK dhe në spitalet rajonale është i mobilizuar maksimalisht. Klinika Infektive në Prishtinë duhet përforcuar me kapacitete të reja. Është detyrë e elitave intelektualëve, punëtorëve, burrave, grave, rinisë dhe gjyshërve, që të reflektojnë. Kujdesuni për familjen dhe të dashurit!”, ka shkruar ai.
Gjendja në Kliniken Infektive në Prishtinë është jashtëzakonisht e rënduar dhe kapacitetet e klinikës janë pothuajse të mbushura, thotë për Radion Evropa e Lirë, infektologu në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi.
Sipas tij, në klinikat e QKUK-së deri të dielën në mbrëmje janë shtrirë 122 pacientë pozitivë ne COVID-19 – në Klinikën Infektive janë 109 persona, në Pulmologji 10, e disa janë të shtrirë edhe ne repartin intensiv në Qendrën e Mjeksisë Sportive.
“Gjendja shëndetësore e tyre është jashtëzakonisht e rëndë, kemi mbi 50 pacientë të cilët janë në oksigjenoterapi, dhe 6 prej tyre i kemi në kujdes intensiv në gjendje të rënduar. Shumica e tyre janë në moshë të shtyrë dhe me sëmundje paraprake, por kemi edhe mosha më të reja”, tha Krasniqi.