Meta: Liberalizimi i vizave për Kosovën, domosdoshmëri
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i98289-meta_liberalizimi_i_vizave_për_kosovën_domosdoshmëri
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe në këtë kuadër janë të mirëpritura përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 03, 2020 16:49 Europe/Tirane
  • Meta: Liberalizimi i vizave për Kosovën, domosdoshmëri

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe në këtë kuadër janë të mirëpritura përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Meta ka shkruar në Facebook se ka uruar Hotin për detyrën e re dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, popullit të saj dhe të ardhmes evropiane. “Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më parë”. “I premtova Kryeministrit Hoti se edhe kësaj vere do të promovoj me kënaqësi bukuritë natyrore të Kosovës sonë të dashur, i bindur se edhe shumë qytetarë nga Kosova do ta kalojnë sezonin turistik në perlat e bregdetit dhe malet e jashtëzakonshme të Shqipërisë”, ka shkruar Meta. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Shqipërisë, është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. Gjatë takimit, kryetari i Kuvendit Ruçi e përgëzoi kryeministrin Hoti për detyrën e re, duke theksuar se ai dhe Qeveria e Kosovës do ta kenë përherë mbështetjen e shtetit shqiptar në avancimin e agjendës së integrimit euroatlantik. Hoti, pasi falënderoi kryetarin Ruçi për pritjen, vlerësoi ndihmën që Shqipëria i ka dhënë institucioneve të Kosovës, duke thënë se kjo na inkurajon që të vazhdojmë edhe më tutje shkëmbimin e përvojave ndërmjet dy vendeve tona.