Sot shënohet 25 vjetori i gjenocidit më të madh të Evropës
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i98470-sot_shënohet_25_vjetori_i_gjenocidit_më_të_madh_të_evropës
Sot, e shtunë, shënohet 25 vjetori i gjenocidit më të madh të Evropës në Serbrenic të Bosnjës dhe Hercegovinës.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 11, 2020 10:51 Europe/Tirane
  • Sot shënohet 25 vjetori i gjenocidit më të madh të Evropës

Sot, e shtunë, shënohet 25 vjetori i gjenocidit më të madh të Evropës në Serbrenic të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se sot shënohet 25 vjetori i gjenocidit kundër myslimanëve në Serbrenic të Bosnjës dhe Hercegovinës i cili njihet si gjenocidi më i madh që ka ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.  

Gjatë kësaj ceremonie gjithashtu do të varrosen edhe mbetjet e trupave të 8 burrave dhe një djali adoleshent të vrarë gjatë luftës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në ceremoninë e përkujtimit të viktimave të vrasjes masive në Serbrenic për çdo vit marrin pjesë me mijëra persona, mirëpo këtë vit për shkak të përhapjes së virusit Korona vetëm një numër i vogël i njerëzve që i kanë mbijetuar këtij gjenocidi janë lejuar që të shkojnë e t'i vizitojnë varret e të dashurve të tyre.

Euronews gjithashtu duke transmetuar një raport rreth historikut të këtij gjenocidi, ka shkruar: "Më 11 korrik të vitit 1995 dhe gjatë luftës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ushtria serbe nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiç, pas disa javë rrethimi të qytetit Serbrenica, kanë hyrë në zonën e cila ishte shpallur nën mbrojtjen e OKB. Këto forca serbe përpara syve të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare që shumica e tyre ishin holandeze, kanë vrarë dhe masakruar mbi 8000 persona duke përfshirë burra dhe djem të rinj myslimanë të cilët i kishin nxjerr me autobus nga zona nën mbrojtjen e OKB dhe gjatë 10 ditëve i kishin vrarë të gjithë ata në zonat rreth qytetit. Ushtarët serbë pas vrasjes masive, trupat e viktimave i kanë varrosur në varreza masive në disa zona dhe vendin e atyre varrezave e kishin rrafshuar me buldozerë për t'i humbë gjurmët e krimit të tyre".

Sidoqoftë ekspertët ndërkombëtar dhe boshnjakë gjatë një operacioni që në fillim konsiderohej i pamundur, kanë gjetur eshtrat e trupave të viktimave dhe kanë arritur t'i identifikojnë ata nëpërmjet ADN.   

Në këtë projekt të madh i cili konsiderohej "Puzel-i më i madh i mjekësisë ligjore në botë", janë identifikuar trupat e rreth 7000 personave dhe me emër e mbiemër janë varrosur në varrezën e caktuar për memorial.

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.

Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.

Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.

Mlladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.

Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.

Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.