42 për qind e qytetarëve të Serbisë e konsiderojnë Kosovën të humbur
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i98931-42_për_qind_e_qytetarëve_të_serbisë_e_konsiderojnë_kosovën_të_humbur
Rezultatet e hulumtimit të Institutit për Çështje Evropiane (CEAS), organizatë kjo joqeveritare, tregojnë se numri i qytetarëve të Serbisë që do të votonin kundër pavarësisë së Kosovës, në krahasim me vitin e kaluar, është duke rënë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 23, 2020 16:46 Europe/Tirane
  • 42 për qind e qytetarëve të Serbisë e konsiderojnë Kosovën të humbur

Rezultatet e hulumtimit të Institutit për Çështje Evropiane (CEAS), organizatë kjo joqeveritare, tregojnë se numri i qytetarëve të Serbisë që do të votonin kundër pavarësisë së Kosovës, në krahasim me vitin e kaluar, është duke rënë.

Kjo për arsyen se shumica e tyre konsiderojnë që Serbia nuk mundet sërish që të ketë kontroll të plotë mbi Kosovën, ndërkohë që shumica dërmuese nuk e di se cili është plani i Qeverisë së Serbisë për Kosovën. Hulumtimi i opinionit publik lidhur me marrëdhëniet e qytetarëve të Serbisë ndaj Kosovës është bërë gjatë periudhës nga 6 deri më 12 mars 2020, në një mostër përfaqësuese prej 1,203 të anketuarve, në bashkëpunim me shtëpinë hulumtuese Ninamedia. Siç thuhet në hulumtim, gati se gjysma e të anketuarve apo 46 për qind, konsideron që nuk është e mundur që Serbia sërish të realizojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë mbi Kosovën, ndërkaq 38 për qind e të anketuarve konsiderojnë që një gjë e tillë është e mundur. Se kjo është e mundur në masë të madhe, këtë e konsiderojnë të anketuarit me moshë më të vjetër se 45 vjet dhe të anketuarit me nivel më të ulët të arsimimit. Se Kosova është e humbur, këtë e konsiderojnë 42 për qind e qytetarëve, ndërkaq 46 për qind konsiderojnë që nuk është e humbur. Qëndrimi se Kosova është e humbur, në masë më të madhe është shprehur nga të anketuarit e moshës 30 deri 44 vjeç, nga të anketuarit me nivelin më të lartë të arsimimit dhe nga popullata e qyteteve, tregojnë rezultatet e hulumtimit. Nga numri i përgjithshëm i të anketuarve, 77 për qind i tyre nuk do ta mbështesnin pavarësinë e Kosovës në këmbim të anëtarësimit më të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërkaq 13 për qind e të anketuarve, do ta mbështesnin. Të anketuarit mbi moshën 45 vjet janë ata që janë në numër më të madh që kanë qëndrimin se nuk do të duhej të pranohej pavarësia e Kosovës.