BE ultimatum Serbisë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i99129-be_ultimatum_serbisë
Serbia të enjten pritet të marrë një urdhër të prerë për njohjen e pavarësisë së Kosovës në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 29, 2020 18:27 Europe/Tirane
  • BE ultimatum Serbisë

Serbia të enjten pritet të marrë një urdhër të prerë për njohjen e pavarësisë së Kosovës në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gazeta serbe “Novosti” mëson me burimet e veta diplomatike se në takimin e dytë që do të mbahet në Bruksel, mes ekspertëve të Prishtinës, Beogradit dhe emisarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, do të prezantohet një projekt-marrëveshje gjithëpërfshirëse. Beogradit, thekson e përditshmja serbe, do i kërkohet të pranojë de fakto shtetin e Kosovës, dhe anëtarësimin e saj në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Drafti është përpiluar nga Bashkimi Europian pa u këshilluar më parë me asnjërën prej palëve. Të enjten, delegacioni i Prishtinës do të kryesohet nga koordinatori për dialogun, Skënder Hyseni, ndërsa Serbia me Marko Gjuriçin. Në takim pritet të bisedohet për bashkëpunimin ekonomik, ndryshe nga mbledhja pararendëse e 23 korrikut ku në fokus ishte çështja e të pagjeturve të luftës. Kryediplomati serb, Ivica Daçiç, u shpreh të mërkurën i surprizuar me lajmin e një dokumenti ultimatum në këtë fazë të hershme të dialogut. Daçiç mendon se çështja e dialogut Prishtinë-Beograd po koordinohet nga Brukseli dhe Uashingtoni, megjithëse vende si Gjermania dhe Franca po tentojnë ta margjinalizojnë rolin e SHBA-së. Takimet në nivel ekspertësh nuk janë mirëpritur në Prishtinë, ku partitë opozitare, por edhe partnerët e koalicionit dhe presidenca kanë thënë se ato e zvarrisin arritjen e marrëveshjes finale.