Qershor 15, 2024 20:40 Europe/Tirane
  • Perëndimi hedh poshtë propozimin e Putinit për armëpushim

Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe NATO-ja kanë hedhur poshtë kushtet për një armëpushim në Ukrainë të vendosura të premten nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili tha se do të ndalte sulmin në Ukrainë me kusht që Kievi të tërhiqet nga territoret e pretenduara nga Moska dhe të heqë dorë nga përpjekjet për t’u anëtarësuar në NATO.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e hodhi poshtë propozimin që e cilësoi si “një ultimatum të Putinit për të dorëzuar më shumë territor”.

Putin tha se propozimi i tij synon zgjidhje përfundimtare për konfliktin në Ukrainë dhe jo ngrirjen e tij dhe theksoi se Kremlini është i gatshëm të fillojë negociatat pa vonesë.

“Do t’i ndërmerrnim këto hapa në mënyrë të menjëhershme”, tha Putin në një fjalim në Ministrinë e Jashtme ruse në Moskë.

Presidenti rus shtroi kërkesën që Kievi të mos ketë armë bërthamore, të kufizojë forcën ushtarake dhe të mbrojë interesat e popullsisë rusisht-folëse në Ukrainë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha në selinë e NATO-s në Bruksel se Putin “ka pushtuar ilegalisht territorin sovran të Ukrainës. Ai nuk është në pozita për t’i diktuar Ukrainës se çfarë duhet të bëjë për rikthimin e paqes.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shtoi se “ky nuk është një propozim për paqe. Ky është një propozim për më shumë agresion, më shumë pushtim dhe në një farë mënyre tregon se qëllimi i Rusisë është të kontrollojë Ukrainën”.

 

Tags