Qershor 20, 2024 08:50 Europe/Tirane
  • Presidenti i Rusisë viziton Vietnamin

Presidenti rus Vladimir Putin shkoi në Vietnam pas vizitës së tij në Korenë e Veriut.

Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, presidenti rus Vladimir Putin pas vizitës që pati në Korenë e Veriut dhe takimit me Kim Jong Un, liderin e këtij vendi, vizitë e cila çoi në përfundimin e një marrëveshjeje të partneritetit strategjik me këtë vend, shkoi në Vietnam ku vlerësoi qëndrimet e balancuara të këtij vendi në lidhje me konfliktin në Ukrainë.

Vietnami, i cili zyrtarisht ndjek një politikë neutraliteti në marrëdhëniet e tij me fuqitë e mëdha botërore, ka refuzuar të dënojë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës; një qëndrim ky, që vendet perëndimore e konsiderojnë shumë të afërt me Kremlinin.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Putin, është planifikuar të takohet me liderët vietnamezë, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste, Nguyen Phu Trong dhe Presidentin e ri të vendit To Lam në Hanoi të enjten në mëngjes.

Putin, i cili po viziton Vietnamin për herë të parë që nga viti 2017, tha se Rusia dhe Vietnami kanë "vlerësime të ngjashme për situatën në rajonin e Azi-Paqësorit".

Zyrtarët rusë thonë se vizita e Putinit do të fokusohet në çështjet ekonomike, arsimore dhe energjitike.

Tregtia midis dy vendeve ishte vetëm 3.5 miliardë dollarë në vitin 2022, një shumë e vogël kjo krahasuar me tregtinë prej 175 miliardë dollarësh të Vietnamit me Kinën dhe 123 miliardë dollarëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rusia dhe Vietnami kanë lidhje të thella që datojnë që nga vitet 1950 dhe për dekada, Moska ishte furnizuesi kryesor i armëve i Hanoit.

Megjithatë, tregtia e Vietnamit me Rusinë ka qenë deri më tani e kufizuar, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina janë partnerët kryesorë tregtarë të Hanoi.

 

Tags