Julian Assange u lirua dhe u largua nga Anglia
Organizata WikiLeaks njoftoi në rrjetin social X se Julian Assange u largua nga burgu Belmarsh në Londër të martën pas 1901 ditësh burgim dhe hipi në një aeroplan nga Anglia për në atdheun e tij, Australi.
Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, në bazë të një marrëveshjeje me sistemin gjyqësor amerikan këtë javë, Assange do të pranojë se ka shkelur ligjet e spiunazhit në këtë vend.
Është planifikuar që, në një seancë gjyqësore që do të mbahet të mërkurën në ishullin Saipan, ai të dënohet me 62 muaj burg, periudhë kjo e gjatë sa periudha që ka qenë i burgosur në Britani. Më pas, Assange do të fitojë vendimin e lirimit të tij.
Julian Assange, themeluesi dhe ish-drejtori i faqes së internetit WikiLeaks, u ndoq penalisht për spiunazh në vitin 2010 për shkak të zbulimit të mijëra dokumenteve sekrete të qeverisë amerikane.
Para se të kalonte pesë vjet burgim në Belmarsh, ai ishte strehuar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për disa vite. Sipas "Le Point", organizata WikiLeaks duke mirëpritur faktin që ai mund të takonte gruan e tij Stella Assange dhe fëmijën e tyre, njoftoi se "Julian Assange është i lirë" dhe u largua nga Britania dhe nga burgu i sigurisë, ku ishte i burgosur që në vitin 2019.
Qeveria australiane, gjithashtu, e përshëndeti këtë rezultat dhe deklaroi se çështja e Assange "ka marrë shumë kohë" dhe nuk ka kuptim të vazhdojë më ndalimi i tij.
Autoritetet gjyqësore amerikane, duke theksuar se Assange, me publikimin e dosjes së WikiLeaks që zbulonte informacione në lidhje me luftërat në Irak dhe Afganistan, ka rrezikuar jetë njerëzish, kanë vite që po përpiqen ta ekstradojnë atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Assange po luftonte që të mos ekstradohej nga sistemi i drejtësisë amerikane, sepse që nga viti 2010 ai kishte nxjerrë më shumë se 700,000 dokumente të klasifikuara në lidhje me aktivitetet ushtarake dhe diplomatike të SHBA-së, veçanërisht në Irak dhe Afganistan.