Betejat me simbol kryqin (4)
(last modified 2024-09-29T19:25:11+00:00 )
Shtator 29, 2024 21:25 Europe/Tirane
  • Betejat me simbol kryqin (4)

"Ç’pikëllim e ç’dhimbje që gjithçka ka mbaruar dhe mbretërinë tonë do ta humbasim"

 Pasojat e Kryqëzatës së Dytë

"Betejat me simbol kryqin" është një podkast që ka për qëllim të hedh një vështrim kalimthi mbi librin me titull "Luftërat e Kryqëzatave" të autorit Muhamed Reshad. Këto luftëra të cilat janë organizuar në emër të fesë së krishterë dhe me simbolin e kryqit nga ana e aparatit të Kishës Katolike, u bëjnë thirrje popujve të Evropës që të shkojnë në luftë kundër myslimanëve. Këto luftëra që vazhduan për disa shekuj (1095-1291), kanë pasur rrethana dhe motive të caktuara për të cilat do të flasim gjatë këtij programi.

Nurudin Zangi pasi mposhti ushtrinë e kryqtarëve, fitoi më shumë forcë dhe u përpoq të zhvendoste sferën e tij të pushtetit dhe ndikimit nga Alepo në Levant. Jocelyn, sundimtari kryqtar që sundoi Edesën për një kohë, shkoi në kampin e Nurudin dhe i kërkoi atij siguri, por e futën në burg. Nurudin Zangi sulmoi qytetin Antakia dhe mposhti kryqtarët rreth këtij qyteti, por nuk ndërmori veprime të menjëhershme për të pushtuar Antakian sepse ky ishte një qytet i madh dhe rrethimi i tij nuk ishte një punë e lehtë. Nga ana tjetër, pas vdekjes së sundimtarit kryqtar të Antakias, ai qytet politikisht ishte ende i qëndrueshëm sepse zëvendësi i mbretit kishte marrë në dorë pushtetin e qytetit derisa të rritej djali pesëvjeçar i sundimtarit.

Nurudin Zangi nënshkroi një marrëveshje paqeje me kryqtarët e Antakias, sipas së cilës kryqtarët u zotuan të mos shkelnin territoret myslimane. Nga ana tjetër, Ashkeloni, një qytet që ishte në duart e Fatimidëve ,u pushtua nga kryqtarët. Edhe pse ishte afër Ashkelonit, Nurudin Zangi nuk mundi të bënte asgjë për të. Prandaj, mori nën kontroll Damaskun.

Pas vdekjes së mbretit kryqtar të Kudsit, Baudouin, i biri i tij Amaury zuri vendin e tij. Për një kohë të gjatë, ai përfitoi nga mosmarrëveshjet politike dhe fetare midis Fatimidëve të Egjiptit dhe Nurudin Zangi për të forcuar pushtetin e tij, por lakmia për të pushtuar Egjiptin e bëri të vështirë marrëdhënien e tij politike me dy fuqitë myslimane. Në një veprim të papritur, ai u bashkua me perandorin bizantin dhe vendosi të sulmojë Egjiptin dhe në vitin 1169 të erës sonë, arriti të rrethojë qytetin Damietta.

Në këtë kohë, Salahudin Jusuf ibn Ejub sundonte Egjiptin.

Salahudin e forcoi kështjellën dhe rriti numrin e forcave mbrojtëse të qytetit Damietta dhe kërkoi ndihmë ushtarake nga Nurudin Zangi. Forcat detare bizantine nuk ishte efektive ndërsa forcimi i kështjellës dhe i qytetit bëri që rrethimi të zgjaste. Si rezultat, kampi ushtarak i Bizantit u kaplua nga uria. Me ardhjen e ndihmës nga Siria nga Nurudin Zangi, nuk mbeti më shpresë për kryqtarët. Pas pesëdhjetë ditë përpjekjesh të parezultat, rrethimi përfundoi dhe kryqtarët u kthyen të mposhtur.

Në vitin 1171 të erës së re, Salahudin Ejubi organizoi një grusht shteti kundër kalifit të dinastisë Fatimide dhe e rrëzoi atë nga pushteti.  Ai ngriti flamurin e abasidëve në Egjipt dhe urdhëroi që të mos lexoheshin më ligjëratat fetare në emër të dinastisë Fatimide. Mund të thuhet se ai po përpiqej të parandalonte mosmarrëveshjet e shumta duke bashkuar territoret e myslimanëve në mënyrë që bota islame të mund të luftonte më mirë dhe më efektivisht kundër ushtrisë kryqtare në Siri.  Natyrisht, nuk duhet të anashkalohet as ambiciet e Salahudin Ejub për pushtet.

Sidoqoftë, kalifi i fundit i dinastisë Fatimide nuk jetoi shumë pasi u rrëzua nga pushteti dhe mbështetësit e tij u kapën të gjithë, ndërsa Salahudin Ejub filloi të zgjeronte territorin e shtetit të tij pas vdekjes së Nurudin Zangi.

Pas vdekjes së Nurudin Zangi, djali i tij  Ismaili, ishte njëmbëdhjetë vjeç dhe nuk kishte aftësinë për të qeverisur territorin e gjerë të të atit. Prandaj, gjeneralët e Nurudin Zangi luftuan me njëri-tjetrin për të marrë pozicionin e tij. Salahudin Ejubi shfrytëzoi rastin dhe marshoi me ushtrinë e tij drejt Sirisë me pretekstin e mbështetjes së djalit të Nurudin Zangi.

Nga ana tjetër, ushtria kryqtare, e cila ishte riformuar nga ushtritë e disa sundimtarëve të atyre rajoneve, u nis të shkoi drejt Tiberias, një qytet në Palestinën e sotme. Salahudin Ejubi, i cili ishte një komandant me përvojë, mori në konsideratë parime komplekse ushtarake në luftë. Prandaj, në betejën që u zhvillua midis dy ushtrive, Rajmondi, sundimtari i kryqtarëve, iku nga fusha e betejës me ushtrinë e tij dhe kryqtarët më në fund u detyruan të dorëzohen.

Një pelegrin i krishterë, i cili kishte shkuar atje për të vizituar Kudsin e shenjtë dhe në mënyrë të rastësishme mori pjesë në këtë luftë, thotë: "Ushtria kryqtare u arratis nga kampi në mëngjesin e 3 korrikut. Rajmondi me kalorësit e tij marshonte përpara ushtrisë. Në krahun e djathtë dhe të majtë të ushtrisë marshonin disa grupe nën komandën e baronëve dhe emirëve të Tokës së Shenjtë dhe një grup elitash të ushtrisë mbanin "Kryqin e Vërtetë" në mes të ushtrisë. Mbreti i Kudsit (Jerusalemit), i cili ishte i rrethuar nga fisnikë luftarakë dhe vëllezër fetarë që i përkisnin sekteve të manastireve të ndryshme, ishte në krye të pjesës së pasme të ushtrisë. Të krishterët, të cilët po marshonin drejt qytetit Tiberija, arritën në një fshat tre milje larg qytetit. Aty i panë myslimanët gati për luftë, kurse ata vetë vuanin nga etja dhe vapa. Papritur, turqit [myslimanët] sulmuan pjesën e pasme të ushtrisë. Ky sulm ishte aq i ashpër sa që forca ushtarake e murgjve u shpartallua e tëra. Atëherë mbreti, që nuk ishte më në gjendje të luftonte, i urdhëroi të ngrinin një tendë në të njëjtin vend, ndërsa bërtiste me këto fjalë:  "Ç’pikëllim e ç’dhimbje që gjithçka ka mbaruar! Nesër do të vdesim dhe mbretërinë tonë do ta humbasim!”

Turqit i rrethuan dhe i vunë zjarrin arave të fushës. Të krishterët nuk ishin të sigurt nga flakët, tymi, shigjetat dhe shtizat gjatë gjithë natës ndërkohë vuanin edhe nga uria dhe etja. Të nesërmen në mëngjes, kryqtarët u përgatitën të kalonin nëpër kalimet dhe lartësitë me plotë gurë dhe të arrinin në liqenin Xhelile, sepse atje ata mund të merrnin forcë dhe të përdornin shpatat e tyre. Kur mbreti, peshkopët dhe komandantët e ushtrisë panë këmbësorinë që po largohej, i urdhëruan të ktheheshin për të mbrojtur "Kryqin e Vërtetë", por këmbësoria nuk pranoi sepse nuk kishin fuqi të luftonin nga etja ekstreme.

Forcat që i përkisnin grupeve të manastireve luftuan, por pa asnjë rezultat. Numri i të vrarëve shtohej çdo moment. Ata kur u përballën me ushtrinë e madhe të myslimanëve, i kërkuan ndihmë mbretit. Mbreti kur pa se këmbësoria e tij nuk donte të kthehej dhe mbeti e pambrojtur kundër ushtarëve turq, urdhëroi që të ngriheshin sërish çadrat që të ishte i sigurt nga sulmet e myslimanëve. Guvernatori i Tripolit kur pa shpërndarjen e kryqtarëve dhe sulmin e pamëshirshëm të turqve dhe vetminë e tij, hapi një rrugëkalim përmes ushtrisë me kalorësit e tij kryesorë dhe u arratis nga ai rrezik shkatërrues. Pasi ai u largua, myslimanët mbërritën nga të gjitha anët dhe i vranë të gjithë të krishterët.”

Ky tregim i përzier me paragjykimet fetare të rrëfyesit të krishterë, tregon motivimin e kryqtarëve në luftën kundër myslimanëve. Komanda me maturi e Salahudin Ejubi ishte në gjendje t'u jepte myslimanëve një fitore të madhe. Kjo fitore ishte premtuese për myslimanët aq sa ishte e hidhur për të krishterët. Sa herë që shkrimtarët evropianë flasin për disfatat e kryqtarëve në këto luftëra, ata shajnë myslimanët, duke anashkaluar faktin se krimet e kryqtarëve në territoret e pushtuara islame janë të paimagjinueshme dhe të papërshkrueshme.

Salahudin Ejubi pas kësaj fitoreje marshoi drejt Kudsit të shenjtë dhe me maturinë e zgjuarsinë e vet, iu afrua çlirimit këtij qyteti të shenjtë. Në këtë kohë, mbreti i Kudsit u kap nga Salahudin Ejubi sepse ai u mund në beteja dhe u zu rob, dhe Baliani sundoi qytetin në vend të tij.

Të krishterët nuk kishin shumë motiv për të qëndruar dhe luftuar kurse Baliani nuk kishte shumë shpresë për fitore. Megjithatë, ai armatosi banorët e qytetit dhe përdori katapultat. Saladini i dërgoi një mesazh Balianit se nuk dua të derdh gjak në këtë vend të shenjtë dhe të ndot me gjak hapësirën e tij të pastër. Pra, është më mirë për ju të dorëzoheni pa luftë, dhe në këmbim mund të merrni çfarëdo sasie parash ose çfarëdo sasie pasuri që dëshironi me vete e të shkoni ku të doni.

Baliani dërgoi një mesazh se "ne nuk mund t'jua dorëzojmë juve qytetin ku vdiq zoti ynë, Jezu Krishti dhe as nuk mund t'jua shesim".

Salahudin Ejubi u dërgoi një mesazh kryqtarëve të qytetit se "do të vijë një ditë kur ju do ta mallkoni këtë besim tuajin dhe do të kërkoni mëshirën dhe faljen time, por atëherë do të jetë tepër vonë.  Mos harroni se ju u keni prerë kokat 70,000 myslimanëve në Xhaminë Al-Aksa".

Sulmi i parë i myslimanëve ndodhi nga ana veriperëndimore dhe midis portës së Damaskut dhe Kullës së Davudit, por nuk pati sukses. Pastaj filloi luftimi trup më trup. Në këtë luftë, kryqtarët u tërhoqën prapa. Lufta zgjati gati një javë. Duke parë pafuqinë e tyre, kryqtarët i kërkuan Saladinit paqe, por Saladini refuzoi dhe tha: "Kudsin do ta marr me shpatë, ashtu siç keni bërë ju vite më parë".

Myslimanët hapën gropa në muret e qytetit dhe më pas krijuan tunele nën qytet. Vetë Baliani shkoi në kampin e Salahudin Ejubi me një grup burrash nga paria e qytetit dhe i kërkoi të pranonte paqen. Balian tha se "nëse nuk pranonte paqen, do të vriste pesë mijë të burgosur myslimanë që ndodheshin brenda, do të shkatërrojë qytetin dhe do të digjte vendet e shenjta islamike dhe të krishtera". Me të dëgjuar këto kërcënime, Salahudin Ejubi pranoi paqen me kushte. Sipas marrëveshjes, të rrethuarit duhet t'ia dorëzonin qytetin ushtrisë së Salahudin Ejubi dhe në këmbim, nëse do të donin të çliroheshin nga robëria, duhet të paguanin për çdo burrë dhjetë dinarë. Çdo grua duhej të paguante pesë dinarë dhe çdo fëmijë duhet të paguante dy dinarë. Në këtë mënyrë qyteti i shenjtë i Kudsit ra në duart e myslimanëve mëngjesin e së premtes më 2 tetor të vitit 1187 të erës së re, pas rreth një shekulli pushtim nga kryqtarët.

Kemi mbërritur në fund të pjesës së katërt të podkastit “Betejat me simbol kryqin”. Ju mund të dërgoni kritikat, pyetjet dhe sugjerimet tuaja përmes faqes sonë. Do të dëshironim shumë të dinim mendimet dhe pikëpamjet tuaja për këtë podkast dhe podkastet tona të tjera dhe për të ndërvepruar dhe shkëmbyer ide me njëri-tjetrin. Ne gjithashtu do t’ju jemi shumë mirënjohës që nëse ju pëlqen përmbajtja e podkast-it, ju lutemi ta ndani atë me miqtë dhe familjarët tuaj dhe t’ua prezantoni atë edhe të tjerëve.

Faleminderit që dëgjuat episodin e tretë të podkastit tonë! Programet tona mund t'i ndiqni në faqen e radios https://iranradio.ir/sq/ dhe www.parstoday.ir/sq

 

Tags