Historia Botërore 9
Ky është episodi i nëntë i podkastit “Historia Botërore”. Historia dhe kujtimet e ndërveprimeve, njerëzve, mallrave dhe asaj që ne i quajmë "të drejtat e njeriut". Në 1789, një revolucion i madh përfshiu të gjithë Francën.
Dua të blej veten
Në vitin 1979, në të gjithë Francën ndodhi një revolucion i madh. Populli francez, i ngopur me shtypjen e mbretërve të tyre doli kundër sistemit klasor dhe pushtetit mbretëror. Ata me sloganin e barazisë, vëllazërisë dhe lirisë, donin një sistem republikan dhe formuan revolucionin e tyre. Populli francez luftoi për gati dhjetë vjet për të realizuar idealet e tij dhe më në fund për një kohë të shkurtër shijoi fitoren. Pas fitores duke u bazuar në parimet e revolucionit të tyre, ata publikuan deklaratën e të drejtave të njeriut dhe sipas saj skllavërinë e shpallën si një akt të urryer dhe e shfuqizuan atë. Por për shkak të saj u përballën me shumë probleme. Kompanitë që përdorën punën e skllevërve për të prodhuar produktet e tyre falimentuan dhe nuk paguanin më taksa. Detyrimet taksore të paguara nga shitësit e skllevërve u eliminuan dhe të ardhurat e qeverisë u reduktuan në mënyrë të jashtëzakonshme. Ndoshta ishin këto probleme që tërhoqën vëmendjen e francezëve tek mosmarrëveshjet midis tregtarëve të skllevërve dhe kompanive të sigurimit.
Pas zbulimit të kontinentit amerikan dhe pushtimit të tokave të reja në lindje dhe perëndim të botës, tregtia dhe transporti i mallrave u zgjerua dhe numri i anijeve që udhëtonin midis kontinenteve u shumëfishua. Vështirësia e udhëtimeve detare dhe aksidentet që mund të ndodhnin në oqeane i detyruan tregtarët të sigurojnë mallrat dhe kështu gjithnjë e më shumë u zhvillua industria e sigurimeve.
Natyrisht, kostoja që sigurimi merrte për një jetë njerëzore ishte më e madhe se ajo e mallrave tregtare. Për këtë tregtarët e skllevërve ishin gjithmonë në mosmarrëveshje ligjore me kompanitë e sigurimit dhe mosmarrëveshjet e tyre të gjata pushtuan gjykatat. Disa tregtarë skllevërish gjatë lundrimit u detyruan të hidhnin një grup skllevërish në det. Para se të niseshin, ata siguronin ngarkesën e anijes dhe besonin se kompania e sigurimit duhej të paguante koston e një njeriu për çdo skllav që humbiste gjatë rrugës. Por kompanitë e sigurimit nuk i konsideronin skllevërit si qenie njerëzore dhe ishin të gatshme të paguanin vetëm një sigurim të barabartë me vlerën e mallrave. Avokatët që mbronin tregtarët e skllevërve u përpoqën të provonin në gjykatë se skllevërit kanë shpirt dhe prandaj janë qenie njerëzore, por kompanitë e sigurimit nuk e pranonin këtë. Debatet juridike në këto gjykata çuan në debate filozofike dhe zgjasnin për një kohë të gjatë.
Haiti ishte një vend në Amerikën Qendrore që ishte nën sundimin francez. Francezët kishin nevojë për sheqer dhe kafe nga Haiti, kështu që skllevërit duhej të punonin për çdo ditë edhe më shumë se një ditë më parë. Francezët, të cilët përfunduan revolucionin e tyre me sloganin e barazisë, vëllazërisë dhe lirisë, pas 8 vitesh sërish e shpallën të ligjshme skllavërinë në kolonitë franceze. Në fushat e kallam-sheqerit të Haitit, ata i detyruan skllevërit e tyre të hanin jashtëqitjet e tyre ose të lëpinin pështymën e skllevërve të tjerë në tokë. Nëse një skllav nuk punonte siç duhet, fermeri i derdhte në kokë një kovë me kallam sheqeri të shkrirë ose e mbulonte deri në qafë më kallam sheqeri dhe pastaj e lidhte para kosheres së bletëve.
Barazia për skllevërit nënkuptonte punë të barabartë për burrat dhe gratë. Të dy grupet duhej të punonin në fushë dhe të jepnin të njëjtën sasi prodhimi në fund të ditës. Gratë punonin edhe gjatë shtatzënisë. Skllevërit me fat konsideroheshin ata të cilëver u jepte mundësia të martoheshin dhe burri e gruaja takoheshin herë pas here.
Lindja e një skllavi shoqërohej me gëzimin e papërshkrueshëm të zotërisë së tij. Ai fitonte një skllav të ri pa paguar për të. Fëmijët që lindnin si skllevër fillonin të punonin që në vitet e para të fëmijërisë së tyre. Ata duhej të merrnin ujë për fermën ose shtëpinë e zotërisë, të mblidhnin dru për të ndezur zjarrin dhe të fshinin shtëpinë e padronit.
Nënat që lindnin foshnjën nuk duhej të kalonin kohën e tyre duke u kujdesur për foshnjat e tyre, ato shkonin në fusha dhe skllevërit e moshuar që nuk kishin forcë për të punuar në arë kujdeseshin për foshnjat në shtëpi. Ndërkohë ata çdo ditë në shtëpi duhej të tjerrnin një sasi të caktuar prej pambuku për t’i kthyer në fije. Nëse padroni do të vendoste të shiste njërin nga fëmijët, ky vendim do të zbatohej menjëherë dhe ulërimat dhe lutjet e nënës nuk kishin asnjë rezultat, përveç goditjes me kamxhik dhe torturimit. Shumë nga këta fëmijë nuk i shihnin nënat e tyre, madje një skllav i vogël mund t'i jepej njërit prej miqve të zotërisë si një dhuratë për ditëlindje dhe ai e shiste skllavin tek një zotëri tjetër.
-----------------
Ndonjëherë skllevërit arratiseshin nga fushat për të hequr qafe vuajtjet dhe torturat. Disa të bardhë ishin ekspertë në gjetjen e skllevërve të arratisur. Ata e ndiqnin dhe arrestonin skllavin e arratisur në male dhe pyje me qen të veçantë gjuetie. Një skllav që kthehej tek zotëria e tij pasi shpëtonte, torturohej me hekur të nxehtë për t'u bërë mësim për të tjerët. Shitja e fëmijëve të skllevërve të arratisur ishte një tjetër dënim për ta.
Torturimi i skllevërve nuk ndalej me kaq. Ata duhej të mësonin se ishin krijesa të nënshtruara. Tortura më e zakonshme ishte shpimi i veshëve, hundëve dhe disa pjesëve të tjera të skllevërve të pabindur. Pronarët e plantacioneve derdhnin dyll të nxehtë në krahët dhe duart e skllevërve që nuk e bënin siç duhet punën e tyre, i digjnin në zjarr me flakë të ulët, ose i mbulonin me barut dhe i digjnin me shkrepëse.
Në këtë situatë, disa nga skllevërit, të cilët e konsideronin të kotë arratisjen, mendonin për hakmarrje dhe nganjëherë rebeloheshin. Shumë nga këto rebelime u mundën dhe u shtypën rëndë, por në fund të shekullit të 18-të, pati një rebelim në Haiti që çoi në një fitore të pjesshme për skllevërit.
Kur francezët harruan të gjitha sloganet e tyre revolucionare dhe njohën përsëri skllavërinë, skllevërit, veçanërisht ata që ishin të ditur dhe të vetëdijshëm për zhvillimet në Francë, u zhgënjyen nga gjithçka. Njëri prej këtyre skllevërve të ditur quhej Toussaint Louverture. Në gusht të vitit 1791, Toussaint bëri që skllevërit haitian të revoltoheshin. Ata dogjën fermat dhe shtëpitë e njerëzve të bardhë dhe rrahën çdo të bardhë që u binte në dorë derisa ai të vdiste. Situata ishte e tillë që të bardhët ikën me anije në Amerikën e Veriut dhe qeveria revolucionare franceze dërgoi një flotë të madhe në bregdetin e Haitit për të shtypur skllevërit. Por Toussaint i organizoi skllevërit në grupe të rregullta dhe i përgatiti ata për një luftë me pushtuesit.
Lufta me francezët zgjati tre vjet. Ndërkohë, britanikët dhe spanjollët, të cilët kishin parë dobësinë e francezëve në ishullin e Haitit, nxituan për ta pushtuar atë, por ushtria e rregullt e zezë e udhëhequr nga Toussaint i zbrapsi ata. Më në fund francezët u tërhoqën nga Haiti dhe zezakët festuan fitoren e tyre. Toussaint, që ishte një ish-skllav, shkroi kushtetutën e Haitit dhe shpalli pavarësinë e saj nga Franca.
---------
Kur diktatori arrogant francez Napoleoni erdhi në pushtet, u tërbua nga veprimet e Toussaint dhe në vitin 1802 dërgoi një ushtri të madhe për të ripushtuar Haitin. Edhe presidenti amerikan Jefferson i dërgoi një mesazh Francës dhe njoftoi se Amerika do ta ndihmojë atë për të pushtuar Haitin. Amerikanët kishin frikë se fitorja e skllevërve Haitian do t'i nxiste skllevërit amerikanë të rebeloheshin. Trupat e Napoleonit u përplasën me ushtrinë e zezë, të udhëhequr mirë nga Toussaint dhe francezët u befasuan nga rezistenca dhe luftimet e disiplinuara të ish-skllevërve.
Kushtet e ashpra dhe të tmerrshme të fushave dhe periudha e vështirë e robërisë i kishin kalitur këta zezakë dhe i kishin bërë ata të fortë për të përballuar vështirësitë. Ndaj ata vazhduan të luftonin me forcë shembullore dhe vullnet të fortë. Padronët francezë u kishin sjellë fatkeqësi gjatë periudhës së skllavërisë dhe për këtë ata në asnjë nuk ishin të gatshëm t'i ktheheshin mënyrë jetës së mëparshme. Këmbëngulja e zezakëve dhe disiplina që ata shfaqën në zbatimin e planeve të tyre të luftës i shkaktuan ushtrisë franceze goditje të rënda, goditje që francezët nuk i kishin përjetuar kurrë në luftërat evropiane. Kjo luftë zgjati 8 muaj dhe pati shumë të vdekur nga të dyja palët. Sëmundjet e shumta u përhapën në të dy ushtritë duke vrarë shumë prej tyre. Më në fund, komandanti francez përdori mashtrimet dhe hyri në një bisedë të fshehtë me komandantët e Toussaint dhe nënshkroi kontrata me secilin prej tyre. Toussaint, i cili mbeti vetëm, hipi në anijen e komandantit francez për të negociuar paqen, por u kap shpejt. Ai u dërgua në Francë dhe disa muaj më vonë vdiq në një burg.
Pas kësaj, Napoleoni u përpoq të rivendoste skllavërinë në Haiti, por zezakët rezistuan. Toussaint nuk ishte në mesin e tyre, por skllevërit e liruar nuk ishin të gatshëm të ktheheshin në skllavëri. Më në fund, Napoleoni, i cili kishte frikë të dështonte përsëri në luftën me Haitin, u ofroi atyre të paguanin 10 milionë monedha ari për të kompensuar Francën për humbjen e skllavërisë në Haiti. Duke paguar këtë kompensim në ditën e fundit të vitit 1803, Haiti shpalli edhe një herë pavarësinë e tij nga Franca.
----------
Rebelimi i skllevërve në Haiti çoi në pavarësinë e këtij vendi. Ky vend ishte vetëm një ishull i vogël dhe kishte ende shumë skllevër që mendonin për lirinë. Ka shumë histori të skllevërve që janë përpjekur të jenë të lirë, por një nga më të çuditshmet është historia e një skllavi të ri që gjeti një diamant të madh.
Kur ari u zbulua në Brazil në shekullin e 16-të, skllevërit e importuar nga Afrika Perëndimore vlerësoheshin shumë. Portugezët që pushtuan Brazilin nuk dinin asgjë për minierat, por skllevërit e Afrikës Perëndimore që kishin nxjerrë ar në atdheun e tyre zotëronin këtë aftësi teknike. Skllevërit që punonin në këto miniera e nxirrnin pluhurin e arit nga minierat në mënyra të ndryshme dhe e ruanin në një vend të sigurt që një ditë të blinin lirinë e tyre.
Edhe kur ishin në Afrikë dhe kishin padronë, ata e dinin se nëse bënin para të mira, mund të blinin lirinë e tyre. Një nga skllevërit e rinj që mbahej rob nga fisi Ashanti dhe punonte për këtë fis në një minierë diamanti në Afrikën Perëndimore, në të njëjtën mënyrë kishte planifikuar lirinë e tij. Fisi Ashanti ishte një fis i madh në Afrikën Perëndimore dhe kreu i tij sundonte rajonin si një mbret. Kreu i Ashantis zotëronte miniera të mëdha diamanti dhe ari, ku shumë skllevër merreshin me nxjerrjen e gurëve të çmuar. Ai ishte i interesuar edhe për tregtinë e skllevërve me evropianët dhe çdo vit atyre u shiste një numër të madh të robërve të tij.
Një ditë, një skllav i ri gjeti në minierë një diamant të madh me peshë 410 karat dhe gjëja e parë që i erdhi ndërmend ishte liria. Ky diamant mund të ishte dokumenti i lirisë së tij. Nuk ishte një detyrë e lehtë për të nxjerrë një diamant kaq të madh nga miniera. Skllavi i ri thuri një plan të çuditshëm dhe e fshehu diamantin në një plagë të madhe në muskulin e këmbës dhe u largua nga miniera. Kur skllavi i ri u shit me skllevër të tjerë tek një tregtar anglez, diamanti ishte ende i fshehur në plagën e këmbës së tij. Ai hipi në anije me shpresën se do t'ia shiste diamantin dikujt në Amerikë dhe do t'i përdorte paratë për të blerë lirinë nga zotëria e tij. Por fryrja e çuditshme në këmbën e tij tërhoqi vëmendjen e kapitenit të anijes. Kapiteni ekzaminoi me kujdes këmbën e skllavit dhe nxori diamantin nga plaga e tij. Kur e pa diamantin, kuptoi duke blerë këtë skllav se kishte bërë një tregti fitimprurëse. Ai e torturoi ashpër skllavin e ri për fshehjen dhe e mbajti diamantin për vete, derisa arriti në një nga ishujt rrugës.
---------
Ky diamant unik iu shit një tregtari indian dhe tregtari indian ia shiti një anglezi të quajtur Thomas Pitt. Thomas ishte një njeri që dikur u arrestua nga policia britanike për tregti të paligjshme në Indi. Tregtia në Indi ishte monopol i Kompanisë Britanike të Indisë Lindore dhe askush nuk mund të tregtonte i vetëm në këtë tokë. Pitt u lirua me pagesën e një gjobe, por vazhdoi të drejtonte biznesin e tij ndërsa punësonte njerëz për të mashtruar agjentët e qeverisë britanike.
Pitt e çoi diamantin në Evropë dhe urdhëroi ta prisnin në Amsterdam. Më pas në vitin 1717 ia shiti këtë diamant të bukur mëkëmbësit të Francës për 135,000 lireta dhe më pas u kthye në Indi dhe paratë që fitoi nga shitja e diamantit i përdori në biznesin e tij të paligjshëm. Pas disa kohësh, kur u kthye në Angli, ishte aq i pasur sa fillimisht bleu pronën e Stratford-it dhe më pas me ndihmën e saj bleu qytetin e "Sarumit të Vjetër". Ky qytet nuk ishte gjë tjetër veçse një gërmadhë, por Pitt duke e blerë mori pjesë pa problem në zgjedhje dhe u bë përfaqësues i këtij qyteti në Parlamentin anglez.
Diamanti që Pitt i shiti mëkëmbësit të Francës iu shtua kurorës mbretërore franceze dhe në kohën e Revolucionit Francez, vlera e tij vlerësohej në 480,000 lireta. Thomas Piit, pas një kohe shkoi në Amerikë dhe ia kushtoi pasurinë e tij zhvillimit të rajonit, i cili mund të shumëfishonte kapitalin e Pitt me punën e disa mijëra skllevërve të zinj. Në këtë zonë u ndërtua një qytet i rëndësishëm, i cili mori emrin e Pitt dhe u quajt "Pittsburgh".
Vajza e Pitt u bë kontesha e Stonehope në Angli dhe djali i tij më i vogël Chatham William Pitt u bë Kryeministër i Anglisë në moshën 24 vjeçare. Pasardhësit e Pitt vazhduan të zinin poste të rëndësishme qeveritare. Të gjitha këto suksese i arriti një njeri, babai i të cilit ishte një prift i zakonshëm dhe që një ditë la familjen e tij për të shkuar nga Anglia në Indi për të fituar para të paligjshme, por kurrë nuk e kishte menduar se do të bëhej i pasur nga plaga e këmbës së një skllavi të zi.
Faleminderit që gjetët kohë për të dëgjuar këtë podkast! Të dashur miq dhe dëgjues, kemi arritur në fund të një episodi tjetër të podkastit "Historia Botërore". Shpresojmë që të jeni kënaqur duke dëgjuar këtë episod.
Programet tona mund t'i ndiqni në faqen e radios https://iranradio.ir/sq/ dhe www.parstoday.ir/sq