Zelensky në mes tensioneve me Uashingtonin mbërrin në Londër
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, mosmarrëveshjet e mprehta të të cilit me presidentin amerikan Donald Trump për të ardhmen e luftës në Ukrainë kanë acaruar marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit, pak minuta më parë mbërriti në Londër dhe në orët në vijim është planifikuar të takohet me kryeministrin britanik.
Një zëdhënës i zyrës së kryeministrit britanik konfirmoi se liderët e dy vendeve do të takohen në Downing Street. Takimi vjen ndërsa Britania po përpiqet të ndërmjetësojë mes tensioneve të shumta midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Starmer gjithashtu nesër në një takim urgjent do të presë liderët evropianë, për të diskutuar të ardhmen e luftës në Ukrainë dhe sigurinë evropiane. Takimi i djeshëm mes Zelensky dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë u kthye në një sherr verbal dhe presidenti ukrainas u largua papritur nga Shtëpia e Bardhë. Tensioni erdhi pasi Trump përsëriti qëndrimin e tij për reduktimin e mbështetjes së SHBA për Ukrainën dhe fokusimin në negociatat me Rusinë. Në të kundërt, Zelensky, i cili është i shqetësuar për reduktimin e ndihmës financiare dhe ushtarake të SHBA-së, e përshkroi qasjen e Trump si "një goditje për sigurinë evropiane". Në përgjigje, Trump akuzoi Zelenskyn për "mosrespektim të Shteteve të Bashkuara" dhe theksoi se ai nuk ishte gati për paqe. Ky incident u prit me një reagim të gjerë nga liderët evropianë, të cilët deklaruan edhe një herë mbështetjen e tyre për Kievin. Takimi i liderëve evropianë nesër në Londër dhe të enjten në Bruksel do të jetë një pikë kthese në vendimmarrjen evropiane për luftën në Ukrainë. Ndërkohë, Starmer po përpiqet të forcojë pozicionin e Britanisë si një lojtar kyç në ekuacionin e Ukrainës, por është e paqartë nëse Londra do të jetë në gjendje të ndërmjetësojë midis Zelensky dhe Trump dhe të ruajë aleancën transatlantike.