Rifillon ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën
(last modified Wed, 12 Mar 2025 08:22:30 GMT )
Mars 12, 2025 09:22 Europe/Tirane
  • Rifillon ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën

Ukraina njoftoi rifillimin e ndihmës ushtarake amerikane për Kievin, pasi arriti një marrëveshje me SHBA-në për të vendosur një armëpushim 30-ditor me Rusinë.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar agjencinë e lajmeve Reuters, Pavlo Palisa, zëvendëskreu i Zyrës Presidenciale të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, shkroi në Facebook në orët e para të së mërkurës: “Kam marrë një konfirmim se ndihma ushtarake e Amerikës do të rifillojë. Marrëveshjet do të zbatohen”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pezulluan ndihmën ushtarake dhe mbështetjen në fushën e inteligjencës për Ukrainën pas takimit të tensionuar dhe replikues të Zelenskyt me presidentin amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidentin J.D. Vance në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt mbi mënyrën se si të arrihet paqja me Rusinë.

Që nga fillimi i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar 175 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë rreth 61.4 miliardë dollarë ndihmë ushtarake.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Michael Waltz, tha: “Amerika mund të rikthejë ndihmat ushtarake për Ukrainën pas masave të ndërtimit të besimit”.

Në bisedimet tetë-orëshe të mbajtura nga përfaqësuesit e lartë të Amerikës dhe Ukrainës të martën në Xheddah të Arabisë Saudite, Kievi ra dakord me propozimin e Uashingtonit për një armëpushim 30-ditor me Rusinë.

Amerika njoftoi se plani i armëpushimit i rënë dakord me Ukrainën do t'i prezantohet Rusisë dhe nëse Rusia e pranon dhe e zbaton atë, ky armëpushim mund të zgjatet.

Gjithashtu, Amerika ra dakord të anulojë ndalimin e dhënies së informacioneve për Ukrainën dhe të rifillojë ofrimin e ndihmave në fushën e sigurisë për Ukrainën.